KULTURË

HERONJTË E POPULLIT NË BULEVARD/ Historianët: Evokim e provokim, mes tyre sigurimsa, të rishihen titujt

12:00 - 06.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – U mbajt dje në Muzeun Historik Kombëtar konferenca shkencore me temë “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”. Tryeza që vijon këtë të mërkurë dhe të enjte, 6 dhe 7 nëntor ka qëllim diskursin në një rrafsh akademiko-shkencor të pasqyrimit të kësaj periudhe historike dhe organizohet nga Instituti i Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar. Në ditën e parë të saj, fjalën hapëse të këtij takimi e mbajti historiani dhe akademiku Beqir Meta, i cili përshëndeti të pranishmit duke i përgëzuar për këtë iniciativë në zhvillimin e këtij aktiviteti.




Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr.Dorian Koçi në fjalën e tij u ndal në mënyrë të veçantë në rezultatet e luftës dhe rolin e shqiptarëve në këtë luftë si dhe situatën gjeopolitike të Shqipërisë në atë periudhë. Në vazhdim të konferencës së ditës së parë referuan prof. dr. Sonila Boçi me temën “Tipare të rezistencës shqiptare gjatë viteve 1939-1944”, prof. dr. Teki Kurti me temën “Rezistenca shqiptare kundër ushtrive të boshtit dhe marrëdhëniet e saj me anglo-amerikanët” Dr. Marenglen Kasmi referoi rreth temës “Rezistenca shqiptare gjatë pushtimit gjerman 1943-1944”, drejtori i përgjithshëm i Arkivave, dr. Ardit Bido referoi temën “Mes unitizmit nacionalizmit, luftës e komunizmit. Roli i fuqive pushtuese dhe i klerikëve shqiptare në çështjen e Kishës Ortodokse Autoqefale gjatë Luftës së Dytë Botërore”, si dhe prof. dr. Bernard Zotaj referoi temë “Organizimi ushtarak dhe i prapavijave në zonën operative Vlorë-Gjirokastër”. Historiania Ana Lalaj tha në konferencë lidhur me frontin se ishte slogan propaganditstik e i rëndësishëm i luftës, por në pikëpamje juridike ai nuk ekzistonte, nuk kishte strukturë, kryetar, as këshill. “Fronti krijohet më 26.10.1944. Nëse pati kalim të butë nga fronti i madh me aureolë për bashkim të popullit, në frontin e 1944-ës ku hyjnë edhe përfaqësues të partisë, Sejfulla Malëshova, Koçi Xoxe e Pandi Kristo”. Sipas saj, ky front u deklarua ai një organizatë që bashkonte popullin në luftë. “U bë mbledhja e parë dhe zgjodh këshilli drejtues, kryetari e pati strukturë. Më 1945 fronti bëhet demokratik e u bë kryetar Enver Hoxha që nuk hoqi as më 1953 kur iu kërkua të hiqte dorë nga disa prej 5 posteve, ai këtë mbajti”, tha Lalaj. Sipas saj, nëse pyesim a ishte Balli bashkëpunues, duhet të kemi kujdes në përgjigje.
“Ballin Kombëtar duhet ta trajtojmë më në thellësi, edhe në kohën e vet, edhe me fraksionet e veta. Ka pasur fraksione që kanë bashkëpunuar me pushtuesin e ka pasur që s’kanë bashkëpunuar e që janë vrarë. Tjetër është çfarë është bërë më para me historinë, e tjetër çfarë bëjmë ne tani. Janë bërë retushime e krasitje. Meqë u fol për betejën e Tiranës, Vojo Teodorovic ka luajtur rol në të, ai ishte jugosllav. Në gjithë dokumentet e tjera është hequr emri i tij. Ne duhet të kemi kujdes nga nihilizimi e heroizmi”, tha Lalaj. Ajo shtoi se në vitet 1939-1941, komunistët shqiptarë kohë ishin në pozitë të vështirë se vetë Bashkimi Sovjetik dhe internacionalja komuniste e kishte hedhur në kosh parullën për ngritjen e fronteve popullore. “Pas paktit Ribentrof-Molotov u erdhi urdhër të ndalte propaganda kundër fashizmit”, nënvizoi ajo.

HERONJ APO PROVOKIME?
Prej disa ditësh Tirana është përfshirë në qëmtimin e emrave dhe figurave të heronjve të popullit, fotografitë e të cilëve janë varur në bulevard në kuadër të 75-vjetorit të luftës. Mes heronjve të rënë në luftë, mes të rinjve që dhanë jetën në mbrojtje të Shqipërisë nga pushtuesit, studiues e ish-të përndjekur kanë vënë re edhe figura që janë hasur në dosjet e Sigurimit të Shtetit ose që dihet që kanë jetuar edhe pas luftës. Për ç’arsye një debat i madh ka përfshirë historianë e familjarë, shpesh duke keqinterpretuar apo ngatërruar qëllimisht ata që ishin partizanë e vdiqën në mbrojtje të atdheut, me atë që ndodhi pas luftës- siç ishte ardhja e regjimit komunist – apo përfshirja mes heronjve e atyre që sipas studiuesve janë emra që kanë përndjekur shqiptarët si pjesë e Sigurimit famëkeq. Pa hedhur poshtë luftën, rëndësinë e saj, jetët e dhëna për vendin, tre historianë ngulmojnë në nevojën për një kujdes më të madh në përzgjedhjen e emrave që nderohen, duke mos ngatërruar viktimat, me heronjtë e dëshmorët, duke mos vënë në të njëjtin bulevard heronj e idhuj të rremë. Më poshtë reagimet e tre historianëve.

HISTORIANIA ANA LALAJ: U PËRFSHINË FIGURA PA MERITA NË LUFTË

“Lufta Nacionalçlirimtare në Shqipëri vlen të evokohet dhe këtë nuk e bëjmë vetëm ne, por e bëjnë edhe popuj të tjerë që kanë marrë pjesë në rezistencën antifashiste ose në teatrot e mëdha të luftës. Ajo që unë do të thosha për rastin konkret që ju pyesni, është se Instituti i Historisë është duke ju përgjigjur kësaj situate dhe kësaj ngjarjeje, e cila po përkujtohet këtë vit, domethënë 75-vjetorit të Çlirimit të vendit. Për sa iu përket fotografive që janë vendosur në bulevard, ky është një evokim i cili ia vlen të bëhet, sepse përkujtohen ato figura që kanë dhënë jetën, janë heronjtë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Do të thosha se në të është përfshirë edhe ndonjë figurë që nuk i takon luftës për merita. Nuk i takojnë meritat e luftës një ose dy figurave që janë vënë aty. Ato që kanë dalë edhe në gazeta”, kështu u shpreh dje historiania Ana Lalaj.

Sipas saj, në këtë rast duhet të ketë një kujdes i madh se në këtë mënyrë krijohen provokime, radikalizohet situata dhe një radikalizim i situatës në një krah sjell një përgjigje radikale nga krahu tjetër. U quajt provokim deri tani. “A është provokim? Në një lloj mënyre është provokim. Sepse është fjala për heronj të vërtetë të luftës dhe derisa nuk i përgjigjen asaj periudhe ata nuk duhet të jenë aty. Por nga ata tjetër kemi të bëjmë me evokimin e një ngjarjeje shumë të madhe dhe mendoj se provokimi zë vend shumë të vogël. A duhen parë titujt e tyre? Fjala hero ka konotacion pozitiv dhe heronjtë nderohen. Duhet të kenë shumë kujdes strukturat që ngrihen në këtë rast për të vënë vlerësime. Ata njëherë janë vlerësuar. Tani, rivlerësimi është edhe më i vështirë, sepse bëhet në një kontekst tjetër historik e politik. Nëse themi se historia duhet t’i shërbejë të tashmes e së ardhmes, kujdesi nuk është i tepruar”, tha Lalaj. Pyetjes, a duhen rishikuar, ajo ju përgjigj qartë: “Them që duhen rishikuar figurat dhe në këtë vëmë në peshore e hedhim në diskutim, ku mbizotërojnë anët e mira e heroizmi e ku anët e tjera të cilat gjatë kohës së komunizmit, quheshin heroike, por në ditët e sotme, kanë një konotacion tjetër.
Në historiografi politika duhet të rrijë sa më larg sepse ne kemi shumë pika që janë edhe të diskutueshme edhe të nxehta, si për shembull lufta civile, Mukja, roli i aleatëve. Ne tani ka ardhur koha të bëjmë pyetjen dhe të nxjerrim disa konkluzione. A do bëjmë politikë me këto ngjarje historike apo do bëjmë histori? Nëse do të bëjmë histori politika duhet të rrijë larg. Kam vënë re që ka ngjarje për të cilat në publik dalin politikanët jo historianët. Historianët kanë shumë dokumente, pro e kundra dhe kanë mundësi që t’i trajtojnë, që t’i analizojnë më me hollësi dhe të tërheqin një konkluzion më të bazuar, por historianët janë pikërisht lihen më në fund”. Në fund Lalaj tha se korrigjimet në histori bëhen vazhdimisht dhe historiografia shkruhet vazhdimisht, ndaj sipas saj, duke pasur në dorë shumë regjistrime arkivore ne mund të saktësojmë një kontekst historik më mirë se politikanët.

HISTORIANI MAREGLEN KASMI: DHËNIA E JETËS  AKT SUBLIM, TË SHIHEN ME SY KRITIK

Historiani Mareglen Kasmi në deklaratën e tij para mediave tha se, “që të jem korrekt, nuk i di të gjithë emrat që janë përfshirë në këtë listë, por nëse do të flas në parim duke bërë vlerësimin e këtyre figurave historike do të thosha që nderimi i tyre është diçka e nevojshme”. Por sipas tij, kushdo që jep jetën në luftë kundër pushtuesit të huaj, për më tepër që të gjithë në foto janë në moshë të re, janë figura që duhet vlerësuar. “Dhënia e jetës është akti më sublim, që dikush mund të bëjë për mbrojtjen e atdheut. Këtu nuk dua të përfshij në këtë debat ideologjinë, për të arrit në përfundimin se janë figura që ndoshta u përdorën apo simbolizojnë ideologjinë komuniste të kohës, sepse siç thashë në momentin që dikush bie në llogore për të mbrojtur atdheun nga pushtuesi, meriton të vlerësohet”, vërejti Kasmi. Ai shtoi që nëse brenda tyre ka elementë që mund të kenë jetuar edhe pas vitit 1945, atëherë patjetër që duhet parë aktiviteti i tyre që kanë pas kësaj periudhe. “Qartazi unë e ndaj luftën e nga periudha e pasluftës, duke pasur parasysh, që ende pjesa më e madhe e atyre që dhanë jetën e janë përdorur në këto ditë në mënyrë të demonstruar në bulevard nuk e mendonin atë që do të vinte pas vitit 1944, por thjesht dolën në mal për të luftuar për lirinë e vendit”, theksoi historiani.
I pyetur nëse krahas partizanëve, ka edhe elementë të ish-Sigurimit të Shtetit, ai tha se nuk e di se cilët janë emrat, por “do të thosha që për mendimin tim aty e kanë vendin të gjithë ata njerëz që dhanë jetën për çlirimin e vendit. Më pas 1945-ës, si për çdo njeri duhet parë kontributi i që kanë pasur. Pastaj njerëz që një periudhë të jetës kanë pasur një qëndrim të mirë dhe nëse në një moment tjetër të jetës kanë mbajtur një tjetër qëndrim, nëse kanë bërë gjëra që nuk duhet t’i bënin, patjetër që duhet riparë në mënyrë kritike”. Sipas tij, është e njëjta si me nacionalistët gjatë luftës, që kanë merita deri në momentin e pushtimit të Shqipërisë, më pas qëndrimi i tyre është pak ndryshe, prandaj për secilën periudhë duhet që të mbajnë përgjegjësi për ato që kanë kryer. I pyetur nëse ka qenë i përfshirë në procesin e përzgjedhjes dhe nëse si pjesë e Autoritetit të Dosjeve ka dijeni për verifikimin e figurave, ai tha se nuk ka qenë i përfshirë dhe mendon që aty janë njerëz që kanë dhënë jetën gjatë luftës dhe nuk mund të kenë vazhduar aktivitetin e tyre gjatë luftës.

HISTORIANIA SONILA BOÇI: MUNGOJNË DISA EMRA, JANË TJETËR VIKTIMAT E TJETËR HERONJTË

“Ato figura varen aty për të mbajtur të gjallë kujtesën. Është në nderin e çdo kombi që të nderojë heronjtë e vet, pavarësisht ideologjisë së tyre. Ajo që pashë unë nga një vështrim i shpejtë në bulevard, sepse nuk i kam studiuar të gjithë, vura re që përveç komunistëve atje ka edhe jokomunistë. Mujo Ulqinaku, Vasil Laçi, Mine Peza, e shumë personazhe të tjera që nuk janë komunistë. Janë njerëz që janë vrarë duke kundërshtuar pushtimin dhe kjo është në nderin tonë si shqiptarë që t’i kujtojmë. Siç duhet t’i kujtojmë gjithë të tjerët”, tha dje Sonila Boçi. A duhej të ishin të gjithë?
Sipas saj, duhej të ishte bërë një kujdes i madh për të përzgjedhur kategorinë e heronjve që do vendoseshin. “Nëse do përkujtoheshin heronjtë e luftës, nuk duhej të ngatërroheshin ata që janë vrarë pas nëntorit të 1944 dhe ka të tillë. Me aq sa pashë unë, vura re Nuri Luçin, që ishte me një foto me uniformën e Sigurimit të Shtetit që mund të ishte shmangur. E dyta që duhej mbajtur në konsideratë edhe pse s’janë heronj të popullit, por janë dëshmorë të atdheut, janë disa që kanë luftuar në formacionet e Ballit Kombëtar. Nuk pashë Jashar Cakranin që është vrarë nga italianët në Vlorë, nuk pashë Hysni Lepenicën dëshmorin e Grehotit, ose disa të tjerë të Ballit Kombëtar që janë njohur si Skënder Muça që është vrarë nga gjermanët. Edhe këta janë dëshmorë të atdheut sa këta të tjerët dhe ne duhet t’i respektojmë edhe ata”, u shpreh Boçi.

Ajo tha se janë vënë viktimat dhe janë cilësuar si dëshmorë. Masakrat shkaktojnë viktima dhe janë tjetër kategori, por ka të tjerë që kanë luftuar me armë e kanë rënë dëshmorë e që mund të ishin të tjerë që mund të ishin vendosur.

E pyetur për figurën e Fejzi Micollit, ajo përmendi Luftën e Tamarës. “Të gjithë ata që nuk janë vrarë në luftë me pushtuesit, pavarësisht se në ç’periudhë historike janë vrarë, nuk duhej të ishin aty. Duhej të ishte bërë kujdes në përzgjedhjen e figurave, pa mohuar kontributin që kanë këto figura që janë vënë. Duhet bërë rishikim i heronjve të popullit. Titujt janë vendosur para viteve 1990 dhe nuk janë bërë më hulumtime për këto figura. Ne e kemi kërkuar gjithnjë, por këtë e vendos politika, jo ne si historianë – sepse ne kemi bërë hulumtimet tona, por kemi parë që ka të tjerë që janë në kategorinë e dëshmorëve. Ka ardhur koha që politikëbërësit duhet të ulen më shumë me historianët që të bëjmë gjëra më të mençura, që i shërbejnë kohezionit social më shumë se përçarjes sociale”, u shpreh historiania.

Ajo tha se nuk ka dijeni se kush ka qenë në komisionin përzgjedhës, por tha se në dijeninë e saj asnjë nga anëtarët e departamentit të Historisë Bashkëkohore nuk është pyetur për këtë (listë me heronj). “Por mund të kenë pasur historianë të tjerë. Nuk e di nëse ka pasur a jo, nuk e di fare se si janë përzgjedhur këta emra. Nëse do kishin qenë të kujdesshëm dhe nëse në bulevard do të kishte figura që vërtetë janë etalone të luftës, të rezistencës kundër pushtimit, do i kishin bërë shërbim të mirë luftës dhe kujtesës. Nuk besoj se ka njeri që thotë pse është aty Vasil Laçi”, – përfundoi ajo.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.