KULTURË

Visar Zhiti: Arrestimi ditën e partisë, qethja e flokëve dhe qelia

12:30 - 09.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Visar Zhiti – Të jesh arrestuar në 8 nëntor, shumë vite më parë, kur në këtë datë përkujtohet themelimi i Partisë së Punës, dikur Partia Komuniste e më pas Partia Socialiste e Shqipërisë, pra të jesh i arrestuari i kësaj partie, ka një dualitet të rënde në festë, qoftë dhe në fetën e pa shpallur dhe të braktisur të saj tani ashtu siç e kishte të fshehtë dhe vetë themelimin … Nëse tani, përkujtohet shembja e Murit të Berlinit, që ndante mizorisht botën dhe njerëzit dhe perandoria komuniste ka 3 dekada që ka rënë, pra kur nderohen viktimat, qëndrestarët, disidentët, ku-ndërshtarët, martirët e totatalitarizmit, të ngresh në qiell, qoftë dhe për ca ditë, heronjtë vetëm të asaj partie, kauza e së cilës solli rrënime të vendit dhe gjak të popullit, pra jo heronjtë përbashkët të atdheut dhe lirisë, pavarësisht bindjeve, para të cilëve biem në gjunjë, pra ndarja e heronjve dhe ngritja tendencioze e disave, është hap pas, akt i pa pranueshëm, antihistorik, me pasoja në besim dhe moral. Dhe ndoshta jo vetëm kaq. Dhe përgjegjësia është e përbashkët. Po sjell pjesë nga burgologjia “Rrugët e ferrit”, ku rrëfehet se si është përjetuar një arrestim në atë ditë, në 8 nëntor, që ndryshoi tërësisht rrjedhën e një jetë, por dhe gjithë jetën e vendit. Më arrestuan në ditë feste, më 8 nëntor, në mesditë… Ç’ishte kjo e ndalur në rrugën kryesore, afër sheshit të qytetit verior, Kukësi i Ri, ku që prej disa vjetësh punoja si mësues, por larg, pas malit të parë, edhe më larg, pas malit tjetër, tjetrit, male prapë, në fundin e botës?!
– Je i arrestuar! Ti!
– Pse? – u trondita.
– Vërini prangat! – Befas, i pashë duart e mia të shtrënguara me hekura, aq shpejt m’i vunë, polici sigurisht, kurse operativi, po në atë çast, gati m’i shkuli jakat, teksa i shikoi me zell e kompetencë, se mos kisha helm në to.




NË QELI DHE
KUNDËR FLOKËVE
Më flakën në një qeli boshe, pa asgjë, veç mureve të trasha, ciklopike – shiheshin te dera, te dritarja ngushtalaqe në fund – rrafsh me tokën përmatanë. Pra, ishte nëntokë këtu. Njëri nga policët se kë thirri, i cili, me t’u futur brenda, pa folur me askënd, hapi një çantë të zezë, më hodhi një vështrim, u turbullua një grimë, desh tha diçka, që i ngeci, sikur më njohu, por prapë u bë i huaj, i largët përfundimisht. Ai, pikërisht ai, afroi drejt kokës sime diçka të zezë, tip revoleje. Kështu do të më vrisnin, kot? E ndjeva diçkanë e zezë, bëri trak dhe çuditërisht unë s’rashë. Cullufe kaçurrelash binin përdhe si copa mermeri të errët. Grumbulli i flokëve si një grumbull muzgu po shtohej mbi këmbët e mia të zbathura. Ah, po më qethnin, ç’mëkat! Berberi ai. Qethje e pazakonshme, i lidhur me pranga. Eh, të gjithë kështu i qethin këtu, sigurisht me pranga, por unë e kam për herë të parë e për herë të parë më bënin tullë. Po më vinte më keq se nga vetë arrestimi. U meka fare. Nuk fola. Edhe flokët nuk paskëshin qenë të mitë, çështje shtetërore edhe ata, dihej. Do t’i hidhnin te plehrat apo do t’i digjnin? Kisha pasur flokë të bukur, të dendur, i urrenin… Në qeli po ndihesha më i shkretë dhe i fyer fare. Mirë që është frika, thashë me vete. Ndërsa ankthi shtohej, frika ime po mpakej, ngaqë s’mund të më mbronte. Dhe kështu sikur donte të ikte, të më linte vetëm. Jo, jo, prit aty, ti, frika ime! Më duhesh. Edhe akuza më duhet, që të përballem. Akuza është si flokët, do të më jepte forcë. Mosfaji i ngjan kokës së qethur poshtërueshëm. E njënjëshme. Copëz shkretëtire. I ngjan mëkatarit pa asnjë mëkat. Gjëra të dëgjuara këto. Kur një kohë është e fajshme, është faj të mos bësh faje. Por e pëson keqas.

HETUES DHE MINJ
– Po kush jeni ju? – guxova të them.
– Siç nuk është zakon këtu, po të paraqitemi, po ta bëjmë këtë nder. Unë jam kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Agron Kokona, dhe shoku tjetër është shefi i Hetuesisë, Nexhat Selimi, e kemi ndër më të mirët në Republikë dhe ka zbërthyer armiq shumë të mëdhenj e grupe të tëra armiqësore, që kanë merituar plumbin, kuptove? – po fliste me të butë më i vjetri prej atyre të dyve, nëse ishin dy, sepse më vinin përqark më shumë zëra e fytyrat më rishfaqeshin: njëra me më shumë rrudha, maskë plaku babaxhan, pa shprehje, e ftohur, gri, donte të ngjante për mirë, si e rënduar nga përvoja, kurse tjetra, e nxehur, e kuqërremtë, kacafytëse, edhe pse pa flokë, më e re, që gjithsesi i kishte duruar me shkëlqim konsumimit. Makina e shkrimit kërcëllinte e zezë. Në hetuesi po merresha rëndom natën. Pastaj vetëm natën. Pas mesnate. Afër mëngjesit. I pranguar. Të sqaroja armiqësinë time, që Partia të mendonte për mua. Ka shumë rëndësi pendimi dhe të tregoja përgjumësh, shokët, ata e kishin më shumë fajin, që kisha rënë në këtë rrugë të gabuar. Nëpër ankth më kërkohej se ç’kishin ndër mend të bënim. Pse s’do që ndëshkimi i Diktaturës së Proletariatit të bjerë mbi ata që të morën më qafë, që desh të morën më qafë, ë, pse s’flet? Ç’është kjo kokëfortësi që do të të thyejë kokën? E vazhdonin të derdheshin mbi mua sharjet e bërtitjet si vërshim llumi mbi gjumin tim të keq, në qeli, dhe e përmbytnin dyshemenë sërish, ashtu siç kishin bërë një gjysmë ore më parë a në mijëvjeçarin që shkoi, gjatë seancës më të fundit të hetuesisë, kur mbi përgjumjen time më këmbë, i lidhur me pranga, ndërsa pyetesha ulëritshëm, ndieja rrëketë e baltës, vërsuljen e saj, moçalin gjithpërpirës. Befas dilte prej andej një qen-robot, më hidhej, më ngulte dhëmbët metalikë në mish, varej rëndshëm e kërkonte të mbërrinte skeletin tim, për ta brejtur. Djersë apo gjak rridhja?
* * *
Po rrija më këmbë në mes të qelisë. Nga trupi im vareshin poshtë jo vetëm copa lëkure të shkruara, por edhe vena të shkulura, të këputura keq, inde, nerva, fije lidhëse të shqyera me dhëmbë, damarë të përgjakur, nga rridhnin ndjenja dhe mendime dhe tërë siguria e ruajtur deri më tani. Ndihesha fajtor. U binda. Kisha qenë. Çengela e ganxha, e kavo, linja të tjera të padukshme që më lidhnin dikur me botën dhe nuk më dukeshin asgjë, tani qenë këputur dhe unë mes tyre, me këmbët ngatërruar nëpër to si në një kurth kaotik, kisha shtangur. Nuk ndieja më gjë. Kishin vdekur edhe valët në ajër. Në një cep të vuajtjes, që kaq shpejt u bë e pakohë, gjeta përçartjen e një poezie për gjyqin tim. Më priste kjo ditë e ferrit që në gjallje.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.