OPINION

9 Nëntori në Berlin dhe « Muri » i Heshtjes në Tiranë

07:22 - 10.11.19 Dr. Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dihet tashmë se bashkë me Murin e Berlinit filloi shembja dhe rrëzimi, njeri pas tjetrit, i regjimeve totalitare në RDGJ, pak ditë më vonë në Çekosllovaki, Hungari, Rumani, Bullgari, e kështu me radhë! Po në Shqipëri  ç’po ndodhte?




Rënia e Murit e gjeti të papërgatitur udhëheqjen komuniste të “ vazhdimësisë”; madje ajo ndodhej në momente jubilare festive, me pompën, fanfarat dhe trumpetat e saj. Ditën që po shembej Muri, sapo ishte përkujtuar 72-vjetori i Revolucionit të Tetorit dhe 48-vjetori i krijimit të Partisë; ndërkohë ishin në kulm përgatitjet për festimin e jubileut të 45-vjetorit të Çlirimit të Atdheut dhe 77-vjetorit të Pavarësisë.

Tirana zyrtare synonte të krijonte përshtypjen e rreme në popull dhe në opinionin e huaj se gjithçka po shkonte normalisht. Mirëpo, momentet entuziaste e të gëzimit të papërmbajtur, të shfaqura në ekranet e botës u panë dhe nga shumica e shqiptarëve; djemtë ia kishin gjetur hilen me kohë edhe “zhurmuesve” nëpërmjet “kanoçeve” historike. Ndaj, manifestimet madhështore të berlinezëve ato ditë të flakta Nëntori zgjuan dhe ngjallën shpresën e madhe të shqiptarëve për një fillim të ri.

Shkurt, kishte filluar numërimi mbrapsht i ditëve drejt lirisë dhe demokracisë së vërtetë.  Në ato vite punoja si ekspert në ish-Ministrinë e Tregtisë së Jashtme; aty e shihja nga afër shushatjen politike të regjimit. U shtuan pa masë tensioni, kërkesat për mobilizim “ditë e natë” në punë, kërkohej kapërcimi i krizës ekonomike që kishte kohë që kishte trokitur nëpërmjet shtimit të prodhimit dhe eksportit, por me se? Puna kishte shkuar deri atje sa për të siguruar valutën aq të nevojshme për importin e mallrave më të domosdoshme të eksportonim dhe rërë e kripë deti, gurë dhe zhavorr, qengja, keca dhe bretkosa, madje dhe  gomarë, apo të përdornim forma tregtie  të Shekullit të XVII, si barteri (këmbimi mall me mall)  dhe te tjera forma tregtie të prapambetura ;gjithsesi, dhe në rastin më të mirë, të ardhurat prej tyre ishin «një pikë uji në oqeanin» e halleve dhe urisë ulëritëse që kishin pllakosur vendin në vitet 80.

Ashtu si kanë pohuar publikisht dhe ish zyrtarë të lartë partiakë të asaj kohe, krerët e atëhershëm komunistë po linin të nënkuptohej se ngjarjet në Berlin nuk kishin lidhje me Shqipërinë, sepse ajo ishte vend i vërtetë i vetëm socialist në botë!

Ndaj, është interesante, sidomos për brezin e ri të 20 dhe 30 vjeçarëve që nuk e kanë jetuar atë periudhë, që të ndalemi disi më gjatë në kronikat e atij muaji pështjellues, duke iu referuar kryesisht pasqyrimit të tij në faqet e gazetës “Zëri i Popullit”. Kjo mbasi gjithë gazetat e tjera, radioja dhe televizioni i vetëm shtetëror  pasqyronin me besnikëri “frymën dhe germat” ZP-së, për shkak të  censurës së partisë- shtet mbi median dhe shtypin e asaj kohe.

Për ironi të fatit, në aspektin e brendshëm, pikërisht në ato ditë Nëntori 1989, ZP-ja dhe gjithë organet e tjera të medias jepnin kronika të gjata dhe kryeartikuj ekzaltues për jehonën e Konferencës Kombëtare të Gjeologjisë shqiptare!!?

Vendin kryesor ato ditë e zinin Konferencat e Partisë në rrethe dhe fjalimet e   presidentit të vendit dhe liderit të ish PPSH-së, Ramiz Alisë.

Kështu, pikërisht më  9 Nëntor, ditën e Rënies në Murit, ai mbante një fjalim në Pogradec, ku shprehej “ me krenari  për socializmin fitimtar, sepse  “Shqipëria  nuk ishte  as lindje dhe as perëndim”.

Ndërsa në një artikull të gjatë të datës 28 Nëntor 1989 me titull “ Nuk dështoi komunizmi, por deformimi i tij” shprehej ende bindja në drejtësinë e vijës së Partisë dhe të komunizmit si ideologji!!

Ndërkohë, numri i ZP-së i 30 Nëntorit 1989 ishte mbushur me fjalën e R. Alisë në Paradën ushtarake tradicionale më 29 Nëntor, me titullin bombastik “ Forca jonë uniteti, rruga jonë socializmi”! Mirëpo dhe lideri gjermano-lindor Honeker, dy muaj më parë kishte pohuar të njëjtën gjë në manifestimin me rastin e 40 vjetorit të krijimit të RDGJ-së, me Gorbaçovin në krah; por, vetëm një muaj më vonë ai e pa veten dhe regjimin e tij të shkërmoqur bashkë me Murin.

Gjithashtu, faqet e ZP-së dhe medias televizive shqiptare “gumëzhinin” nga qindrat e telegrameve rutinorë të urimit, sidomos nga partitë marksiste – leniniste për festat dhe nga ceremonitë e dekorimit të dhjetëra qytetarëve dhe drejtuesve të lartë shqiptarë.

Shkurt, çdo gjë mund të gjendej ato ditë në ZP dhe televizionin shqiptar, por jo LAJMI dhe NGJARJA mbi shembjen e Murit të Berlinit, bashkë me Erën e madhe të NDRYSHIMIT në lindje, ku ndodhej dhe Shqipëria, veçse në ekstremin e saj!

Edhe më absurde dhe butaforike ishte propaganda e saj në frontin e jashtëm, madje dhe në Gjermani.

Kështu, më 3 – 4 Nëntor, kur në RDGJ po bëhej nami me protesta dhe marshime kundër Murit që po tundej nga themelet, Shqipërinë po e vizitonte në krye të një delegacioni qeveritar, zv.kryeministri Gjermano-lindor, Horst Zöle, i cili nënshkroi me autoritetet tona përkatëse Marrëveshjen e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Teknik. Në fakt, kjo vizitë dhe Marrëveshja e sipërpërmendur“ e cila ishte si të thuash “ e vdekur para se të lindte” zuri shumë më tepër vend në kronikat  mediatike të asaj kohe se gjithë ngjarjet që kishin të bënin me Murin e Berlinit gjatë periudhës Nëntor – Dhjetor 1989! Madje, në intervistën e tij në ZP, i pyetur enkas mbi gjendjen politike në Berlinin Lindor, ai sikur të vinte nga një planet tjetër, përgjigjet se nuk po ndodhte kush e di se çfarë! Ndërsa, duke folur me admirim për arritjet e popullit shqiptar, ai shprehte besimin në vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet RDGJ-së dhe Shqipërisë, madje deri aty nga viti  2010!  “ E shihni, – sikur donte të thoshte propaganda shqiptare e asaj kohe – ja ku po e dëgjoni nga goja e një zyrtari mjaft të lartë gjermano-lindor, nuk ka ndodhur ndonjë hata atje! Mirëpo edhe vetë Zöle, vetëm pas një jave dha dorëheqjen bashkë me anëtarët e tjerë të Byrosë Politike të PK të RDGJ-së!

Kurse më 9 Nëntor, kur në Berlin sapo kishte filluar shembja e Murit, në Tiranë ndodhej për vizitë Ministri i Jashtëm i Kubës!

Dy ditë më vonë, më 11 Nëntor 1989, ZP-ja jep një njoftim telegrafik fare të thatë mbi miratimin nga ana e Qeverisë së RDGJ-së të “ Rregullave të reja për shtetasit gjermano-lindorë, të cilët mund të udhëtonin në Berlinin Perëndimor e të qëndronin aty pa pasur nevojë për  vizë” Siç dihet tashmë, ishte pikërisht artikulimi i këtij vendimi dy ditë më parë në një Konferencë konfuze shtypi, që kishte ngritur e nxitur turmat e shumta nga të dy anët e Berlinit për të filluar aty, në Portat e Brandenburgut, procesin madhor historik të shembjes së Murit! Njoftimi vijon pastaj duke shkruar se menjëherë pas këtij njoftimi, Kancelari Kohl kishte ndërprerë vizitën e tij në Poloni dhe kishte shkuar në Berlin, e pastaj në Bon,  ku kishte mbledhur urgjentisht  kabinetin qeveritar! Kësaj i thonë “ Hiç, hiç, po Habili vdiq!” As 10 rreshta të thatë nuk zinte në një vend fare të padukshëm në faqen 4 të ZP-së, ky njoftim vërtet historik! Kurse për koment as që bëhej fjalë! Logjika e propagandës komuniste ishte:“ E pse të zgjatemi, kjo s’ka ndonjë lidhje me ne, një vendim qeverie i RDGJ-së dhe aq!!!

Ndërsa më 12 Nëntor, sërish në një njoftim telegrafik, madje çuditërisht në Rubrikën “ Me pak fjalë”!!!” ZP-ja njofton mbi bisedën telefonike të liderit të ri të RDGJ-së E. Krenz me Kancelarin Kohl. Por edhe ky njoftim, me sens negativ, thjesht përmendte faktin se Krenz i ka thënë Kohl, se nuk bëhet fjalë për ribashkim, por thjesht që të dy vendet të shkojnë sa më mirë me njeri tjetrin, si dy vende sovrane! Dhe aq!!

Një njoftim i tillë i thatë u dha në shtypin dhe në  televizionin tonë edhe më 29 Nëntor 1989, kur u shpall  Plani i famshëm me 10 Pika nga Kancelari Kohl, ku ai parashtroi platformën historike të ribashkimit gjerman. E megjithatë, theksi në shkrimin e ZP-së vihej mbi demek kundërshtimet që ishin paraqitur nga homologët e tij eropianë.

Ndërsa më 22 Dhjetor 1989, një ditë pas ceremonisë së hapjes zyrtare të Portave të Brandenburgut, mbi Murin tashmë të shembur, me pjesëmarrjen edhe të  dy liderëve të RFGJ-së dhe RDGJ-së, ZP-ja jepte sërish vetëm një njoftim telegrafik në Rubrikën “ Me pak fjalë”. Duhej të ishte tepër, tepër i vëmendshëm dhe të kishe informacion nga burime të tjera që të mund të “ lexoje përmes rreshtave” e të kuptoje se në Berlin kishte ndodhur një mrekulli demokratike me efekte planetare dhe jo thjesht se ishin hapur dy dyer apo porta “do si do!”

Bie gjithashtu në sy se më 21 Dhjetor, ZP-ja i jepte vend të dukshëm në faqen e saj të 4 për lajmet e jashtme një seminari të organizuar në qendër të Berlinit Perëndimor nga Shoqata e Miqësisë Shqipëri – Gjermani, shoqatë që në fakt ishte nën ndikimin e Partisë Komuniste Gjermane. Edhe pse do thënë se në  këto shoqata ka pasur dhe dashamirës e miq të vendit dhe popullit tonë. Kryetari i saj, Peter Platzman, mik i vendit tonë dhe i lidhur ngushtësisht me të, në fjalimin e tij nënvizoi se “ ngjarjet në Berlin nuk kanë kurrfarë lidhje me Shqipërinë. Sepse ajo kishte mbi 20 vjet që ishte shkëputur nga Traktati i Varshavës dhe 30 vjet nga ndikimi i Moskës dhe se arritjet e popullit shqiptar ishin dëshmia më e qartë për këtë” Pak a shumë të njëjtat mesazhe të gabuara ishin pohuar edhe në një veprimtari tjetër të organizuar në Hamburg, me pjesëmarrjen edhe të diplomatëve të Ambasadës shqiptarë në RDGJ.

Me pak fjalë, duhej të ishte tepër, tepër i vëmendshëm dhe të kishe informacion nga burime të tjera që të mund të “ lexoje përmes rreshtave” e të kuptoje se në Berlin kishte ndodhur një mrekulli demokratike me efekte planetare dhe jo thjesht se ishin hapur dy dyer apo porta “dosido!” Kjo ndodhte sepse në Tiranë, krahas bunkerëve të panumërt  ishte ngritur me kohë një “Mur” i madh Heshtjeje për ngjarjet demokratike në Berlin; por dhe ai Mur Heshtjeje do të shembej një vit më vonë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.