Sociale

Nis projekti “EU for Innovation”/ Leksion i hapur mbi inovacionin nga pedagogu gjerman te “Luarasi”

11:00 - 13.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Voltiza Duro  –  Nis projekti “EU for Innovation”, i financuar nga BE. Ruka: Projektet e së ardhmes –  Leksion i hapur mbi inovacionin nga pedagogu gjerman te “Luarasi” –  Marc Kley: Sjellim eksperiencën më të mirë europiane




Në vijim të projekteve inovative, studentët e universitetit “Luarasi” kanë ndjekur këtë të martë leksionin e hapur nga Marc Kley, pedagog në universitetin e Këlnit, në Gjermani. Në fokus të prezantimit të lektorit gjerman ishte implementimi dhe zhvillimi i ideve inovative, duke ndarë me të rinjtë  eksperiencën shumëvjeçare mbi ekosistemin inovativ. Aktiviteti “EIIU Talks” organizohet nga projekti “EU for Innovation”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe implementuar nga GIZ në Shqipëri. Dekani i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit, Indrit Baholli, falënderoi pjesëmarrësit dhe në emër të stafit të “Luarasit” shprehu gatishmërinë për aktivitetet mbi inovacionin. “‘Startu’-pet janë mjaft të rëndësishme në ditët e sotme, sidomos për brezin e ri. Dhe ‘Luarasi’ gjithashtu është një universitet inovativ e njëkohësisht jemi mjaft të hapur për të gjitha llojet e aktiviteteve që kanë të bëjnë me inovacionin”, – tha Baholli.

Bashkëpunimi

Lektori gjerman Mark Kley shpreh përshtypjet më të mira mbi mënyrën se si studentët e “Luarasit” punojnë në fushën e inovacionit. Ai më tej shton se është e rëndësishme që të ketë një bashkëpunim mes universiteteve për forcimin e ekosistemit lokal. “Unë fola mbi eksperiencën në universitetin në Këln dhe dhamë shembujt më të mirë praktikë. Me aq sa vura re, studentët këtu janë shumë aktivë për të bërë këtë gjë dhe për të ndërtuar struktura inovative. Ata duken shumë të lumtur në implementimin e inovacionit, aq më tepër në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit, që është shumë interesant dhe ka shumë potencial. Mendoj se nëpërmjet projekteve inovative, studentët kanë mundësi të kenë perspektivë dhe të jenë të suksesshëm. Më e rëndësishmja është që universitetet në Shqipëri të bashkëpunojnë për të forcuar ekosistemin lokal”, – u shpreh Marc Kley.

Projektet e së ardhmes

Rektori, prof. dr. Ethem Ruka thotë se “Luarasi” ka paraqitur një projekt inovativ para iniciuesve të huaj, çka do t’i japë shkas më tej krijimit të një qendre inovacioni brenda ambienteve të universitetit. “E gjithë kjo përvojë që vjen nga vende të tjera të Bashkimit Europian synon që të fusë edhe universitetet në fushën e inovacionit. ‘Luarasi’ ka paraqitur një projekt shumë të argumentuar me bashkëfinancim nga universiteti ynë, por edhe nga fondet e kësaj iniciative. Ne do të dëshironim të ngrinim një qendër inovacioni brenda ‘Luarasit’, që do ishte në shërbim jo vetëm të universitetit, por edhe në shërbim të faktorëve të tjerë të jashtëm”, – theksoi Ruka. Ndërkohë, zv.rektorja Anni Dasho Sharko tregon se një tjetër projekt inovativ parashikohet të implementohet te “Luarasi” brenda këtij viti akademik. “EIIU Talks” vjen me një seri prezantimesh të inkubatorëve apo akseleratorëve, duke sjellë përvojën e universiteteve evropiane në Shqipëri. Qëllimi i projektit është të ekspozojë universitetet shqiptare në inkubatorë të biznesit të lidhur me universitetet dhe praktikat më të mira nga Evropa. Të bëjë diskutime dhe të hapë vizione në lidhje me rolin që universitetet mund të kenë në promovimin e sipërmarrjes dhe inovacionit dhe përfundimisht t’i frymëzojë të rinjtë në ndërmarrjen e veprimeve, përmes tregimeve të jetës reale.

 

Marc Kley

“Studentë aktivë”

“Studentët këtu janë shumë aktivë për të bërë këtë gjë dhe për të ndërtuar struktura inovative. Ata duken shumë të lumtur në implementimin e inovacionit, aq më tepër në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit, që është shumë interesant dhe ka shumë potencial. Mendoj se nëpërmjet projekteve inovative, studentët kanë mundësi të kenë perspektivë dhe të jenë të suksesshëm”, – u shpreh Marc Kley.

Ethem Ruka

“Qendra inovative”

“E gjithë kjo përvojë që vjen nga vende të tjera të Bashkimit Europian synon që të fusë edhe universitetet në fushën e inovacionit. ‘Luarasi’ ka paraqitur një projekt shumë të argumentuar me bashkëfinancim nga universiteti ynë, por edhe nga fondet e kësaj iniciative. Ne do të dëshironim të ngrinim një qendër inovacioni brenda ‘Luarasit’, i cili do ishte edhe në shërbim të faktorëve të tjerë të jashtëm”, – theksoi Ruka.

Indrit Baholli

“Startup”-et

“‘Startup-et’ janë mjaft të rëndësishme në ditët e sotme, sidomos për brezin e ri. Dhe ‘Luarasi’ gjithashtu është një universitet inovativ e njëkohësisht jemi mjaft të hapur për të gjitha llojet e aktiviteteve që kanë të bëjnë me inovacionin”, – tha Indrit Baholli, dekan në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.