Sociale

Edukimi i konsumatorit, nis fushata mbi sigurimet në universitetin “Luarasi”

18:00 - 15.11.19 Gazeta Shqiptare

Voltiza Duro – Edukimi i konsumatorit mbi njohuritë financiare, e veçanërisht në tregun e sigurimeve vazhdon të mbetet një sfidë në Shqipëri. Me synim ndërgjegjësimin e studentëve mbi domosdoshmërinë e sigurimeve, në ambientet e universitetit “Luarasi” ka nisur fushata edukuese nga Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë. Ekspertët e fushës kanë mbajtur para studentëve të Financës dhe Administrim- Biznesit, leksionin mbi menaxhimin e riskut nëpërmjet kompanive të sigurimit. Sekretari i Shoqatë së Siguruesve të Shqipërisë, Edvin Libohova shpjegoi arsyet e zhvillimit të këtij leksioni. “Takimi me studentët e universitetit “Luarasi” është në kuadër të fushatës edukuese që Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë po bën në disa universitete. Ende është një sfidë edukimi i konsumatorit me njohuritë financiare, ku një pjesë të rëndësishme zënë edhe njohuritë në fushën e sigurimeve”,-tha Libohova. Studentët diskutuan më tej me lektorët mbi rolin e sigurimeve dhe faktorët që duhet të shtynë individët apo bizneset për t’u siguruar. “Takimi që ne bëmë ishte më tepër për të bashkëbiseduar me studentët mbi sigurimet në përgjithësi, rolin që ato kanë, pse duhet të sigurohemi dhe duke u ndalur në veçanti në menaxhimin e risqeve që ka biznesi apo jeta e përditshme dhe roli që luajnë sigurimet për të menaxhuar këto risqe, pikërisht me studentët që kishim në auditor që janë të fushës së menaxhimit të risqeve, por dhe të financës. Këta studentë nesër do të drejtojnë kompanitë apo njësi të tjera ekonomike, kështu që njohuritë që ata do të marrin në auditore duhet të plotësohen edhe në këtë aspekt”,-bëri me dije sekretari i SHSSH.



Edukimi mbi tregun
Sekretari i Shoqatë së Siguruesve të Shqipërisë, Edvin Libohova tha se shqiptarët nuk janë të informuar mbi këtë treg. “Shqiptarët janë shumë pak të informuar mbi tregun e sigurimeve, dhe kjo na ka detyruar ne vazhdimisht të mundohemi për të dhënë njohuri sepse pjesa më e madhe e atyre që kanë njohuri mbi sigurimet vjen në mënyrë të detyruar në ato raste kur personat kanë nevojë për tu siguruar siç mund të jetë sigurimi i automjetit, në rastin e marrjes së një kredie. Shumë pak informohen në mënyrë vullnetare”,-theksoi Libohova. Më tej ky i fundit shtoi se edukimi mbi sigurimet duhet të nisë që në arsimin parauniversitar. “Edukimi mbi sigurimet duhet të nisë që në arsimim parauniversitar. Ne kemi një fushatë tjetër që po bëjmë në 64 shkollat e mesme në të gjithë vendin ku do të bëjmë një lloj pyetësori mbi njohuritë bazë të nxënësve, çka do të na ndihmojë në të ardhmen për të parë sesi do ti afrohemi këtij tregu sigurimesh lidhur me informacionin mbi të”,-bëri me dije sekretari i Shoqatës së Siguruesve Shqiptarë.

Marrëveshjet e bashkëpunimit
Përgjegjësia e Departamentit të Administrim – Biznesit në “Luarasi”, Aelita Mani tregoi se universiteti ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kompanitë e sigurimeve për tu ofruar kështu studentëve kombinimin e teorisë me praktikën. “Me studentët Fakultetit Ekonomik të degës së Financës dhe Administrim Biznesit u zhvillua një orë leksioni e hapur me temën e menaxhimit të riskut nëpërmjet kompanive të sigurimeve. Studentët në këtë orë leksioni u njohën me produktet, shërbimet, dhe pati shumë interes prej tyre pasi gjithë kohës ishin interaktivë dhe kërkonin të dinin më shumë. Universiteti “Luarasi” ka marrëveshje bashkëpunimi me kompanitë e sigurimeve, me Shoqatën e Siguruesve të Shqipërisë, dhe në kuadër të kësaj marrëveshje ne jetëzojmë dhe konkretizojmë orët e hapura të leksioneve, përmbushim nevojat dhe kërkesat tona për praktika dhe intershipe të studentëve tanë dhe konkretisht pranë këtyre kompanive. Kështu, universiteti “Luarasi” bëhet një qendër e takimit të botës së biznesit me botën e akademisë ku studentët tanë takojnë përvojat, praktikat, produktet e biznesit dhe i përqasin këto me leksionet e seminaret që ata marrin në bankat e auditoreve”,-u shpreh Mani. Fushata edukuese nga Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, e çelur në universitetin “Luarasi” do të shtrihet edhe në shumë universitete të tjera në vend për të informuar studentët mbi rëndësinë e sigurimeve.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.