AKTUALITET

Kredi për pajisje elektroshtëpiake dhe kursimet nga rroga/ Zbulohet pasuria e kandidatëve për kryeprokuror

11:19 - 15.11.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gara për Prokuror të Përgjithshëm, tashmë ka hyrë në fazën finale. Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi intervistat me tre kandidatët, përkatësisht Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsian Çela. Ndërkohë dje KLP bëri renditjen e kandidatëve sipas pikëve, ku të parin në listë ka renditur Olsian Çelën me 459 pikë, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme e përkohshme Arta Marku është renditur e dyta me 406. Në vend të tretë është renditur Fatjona Memçaj me 362.Më pas kjo listë do t’i shkojë Parlamentit për votim dhe kandidati fitues duhet të marrë 84 vota.




Nëse brenda 30 ditëve nga ky moment, asnjë prej kandidatëve nuk arrin të marrë 84 vota, atëherë kandidati i renditur i pari në listën e KLP shpallet automatikisht Prokuror i Përgjithshëm. CNA.al ka zbardhur më parë pasurinë e tre kandidatëve për Kryeprokuror.

Olsian Cela

Sa i takon Olsian Çelës, përgjatë viteve si prokuror, nuk është lakuar  negativisht, as nga ana profesionale dhe as nga  aspekti i pasurisë. Të ardhurat, rezulton t’i ketë vetëm nga paga. Çela e ka nisur punën si prokuror, me një apartament 2+1, me një autoveturë “Benz” 190 me vlerë 300 000 lekë. Në vitin 2004, ai ka deklaruar vetëm pagën, ndërsa në 2005, ka shitur Benz-in  në shumën  200 000 lekë. Në 2005, dhe 2007 nuk ka asnjë ndryshim nga pasuria, e tij. Në kohën që drejtonte Krimet e Rënda përgjatë viteve 2008 -2012, ai  deklaron pasuri të trashëguar.

Kështu në vitin 2008, ai ka kursime në në shumën 500 000 lekë si dhe një pasuri të patundshme  tokë bujqësore i fituar me trashëgimi në vitin 2008 në bashkëpronësi me familjarë të tjerë në Fier. Në vitin 2009 ai ka deklaruar depozitë bankare në shumën 507 797 lekë, bono thesari në shumën 1 900 000 lekë, në vitin 2010 ai ka deklaruar kursime në shumën 1 300 000 lekë,në vitin 2011 ka deklaruar kursime 1 000 000 lekë, si dhe tre raste kur ka marrë borxhe në shumat,900 000,800 000 dhe 700 000 lekë, për të blerë një apartament, ndërsa në vitin 2012 ai ka deklaruar kursime 700 000 lekë, kontratë qiraje financiare për një automjet në shumën 9 344 euro si dhe të ardhurat nga pagat.

Pas largimit nga drejtimi i i Krimeve të Rënda, në vitin 2013 ai ka deklaruar kursime 500 000 lekë, të ardhura nga qiraja e banesës në shumën 180 000 lekë si dhe të ardhura nga qiraja e tokës bujqësore në Fier, në shumën 30 000 lekë, në vitin 2014 ai ka deklaruar kursime në shumën 500 000 lekë, në vitin 2015 ai ka deklaruar se i ka kaluar të drejtat e pronësisë të apartamenti një personi tjetër kundrejt shumës 66 000 euro, ka blerë një njësi, (që nuk e përcakton se çfarë është apartament, garazh, lokal apo diçka tjetër), me sipërfaqe 77.8 metër katror, në shumën 78 500 euro, kursime në shumën 350 000 lekë si dhe të ardhurat nga paga e shpërblimet.Ndërsa, në  vitin 2016 ai ka deklaruar se janë pakësuar kursimet në lekën të realizuara nga të ardhurat e vitit 2015 në masën 100 për qind. Shuma e pakësuar është 350 000 lekë.

Arta Marku

Sa i takon Prokurores së Përgjithshme të përkohshme Arta Marku, pasuria e saj ndër vite, sipas të dhënave të publikuara në Open Spending Albania që nga viti 2004 e deri në vitin 2016, është shtuar me një apartament,  të cilin e ka blerë me bashkëshortin vitin 2007 me anë të një kredie. Para se të bëhej kryeprokurore e përkohshme, Arta Marku ka 15 vite punë si prokurore në Rrethin e Shkodrës, ku ka mbajtur detyra të ndryshme, si shefe e njësisë task forcë në 2006 dhe zëvendës/drejtuese e prokurorisë deri në 2016, për t’u zgjedhur më pas në krye të Prokurorisë së Shtetit, mes tymit dhe flakadanëve,  më 18 dhjetor 2017.

Përgjatë këtyre viteve karrierë, Marku rezulton e zhytur në kredi, madje deri në atë pikë, saqë edhe pajisjet më minimale që i duhen një familje i ka marrë me kredi. Referuar formularit të deklarimit të pasurisë të vitit 2016,  rezulton se pasuria e Markut janë paga e saj dhe e bashkëshortit.  Thënë, ndryshe në shifra pasuria e Markut, kap vlerën e 2.221.286 lekë për vitin 2016. Me këto para Marku paguan edhe dy kredi, të paktën sipas asaj që është deklaruar në formularët e deklarimit të pasurisë pranë ILDKPKI–së. Kryeprokurorja ka marrë një kredi bankare për blerje pajisjesh si kondicioner, frigorifer dhe shtrydhëse frutash në shumën 263.630 lekë.

Gjithashtu ajo ka deklaruar një kredi për shtëpi, në vlerën 2.700.000 lekë, të cilën duhet ta paguajë deri në vitin  2022, me një këst mujor prej 37.000 lekë.

Në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurive, Marku, ka deklaruar se të ardhurat nga paga si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, shkojnë në vlerën 1.238.813 lekë. Marku ka deklaruar edhe të ardhurat e bashkëshortit që merr  nga puna si oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Shkodër, në vlerën 885.773 lekë si dhe pagesën e këstit nga Agjencia e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave në Tiranë në favor po të bashkëshortit të saj, në vlerën 96.700 lekë. (Lexo këtu)

Fatjona Memçaj

Kandidatja e tretë për detyrën e Kryeprokurorit, Fatjona Memçaj ka qenë një nga prokuroret e përkrahura nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Në janar të vitit 2017, ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla i ka dërguar Sekretares së Përgjithshme të Kuvendit Albana Shtylla, listën emërore të prokurorëve që plotësojnë kushtet ligjore për të qenë anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi sipas nenit 220 dhe 221 të ligjit nr. 115/2016. Një ndër emrat ishte edhe prokurorja Fatjona Memçaj.Sa i takon pasurisë së deklaruar për vitin 2016, e zbardhur nga CNA.al, sipas deklarimeve në ILDKPKI, vetëm me pagën e saj dhe të bashkëshortit, prokurorja Memçaj, rezulton me kursime mbi 10 mijë euro, dhe me gjashtë gjendje llogarie./cna.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.