BLUETOOTH

Anderson Gurra: “Pas vdekjes” një shuplakë e fortë për realitetin, ja pse më thoshte Bujar Asqeriu dëgjoje babain

18:00 - 19.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Punët e mira e kanë suksesin të garantuar. Kështu ndodhi me  komedinë “Pas vdekjes” së autorit Andon Zako Çajupi. Kjo shfaqje mbante regjinë e Anderson Gurrës dhe u interpretua nga gjigandët e skenës si: Bujar Asqeriu, Marjana Kondi dhe Herion Mustafaraj. Shfaqja është pritur mjaft mirë nga spektatorët, ku nuk munguan ovacionet dhe fjalët e mira për surprizat, përshtatjen e saj me ditët e sotme, si dhe shpirtin që i dhanë aktorët personazheve të tyre. Në fakt, që në titull komedia u njoh për spektatorin si “Pas vdekjes”, tingull që na kujton disa zona dhe të folmet e tyre karakteristike me zanoret që zgjaten e theksohen më tepër. Përgjatë shfaqjes kjo gjetje, që Herionit (Zenelit) iu desh ta mbaj si linjë nga fillimi deri në fund, shkaktonte të qeshura. Cekja e temave sociale, aktualizimi i çështjeve që prekin rëndomë njerëzit si teknologjia, mosdija dhe marrja e atributeve të pamerituara, media etj ishin ndërthurur në një mënyrë të jashtëzakonshme. Për “Gazeta Shqiptare”, pas duartrokitjeve dhe vlerësimit të merituar, vjen regjisori i shfaqjes Anderson Gurra në një rrëfim për komedinë e sapo vënë në skenë, punën me aktorët më në zë, si dhe detaje të tjera që na njohin pak më tepër me Andersonin përtej teatrit.




Dy fjalë për komedinë “Pas vdekjes” së Çajupit

Komedia “Pas vdekjes” është shkruar nga rilindasi Andon Zako Cajupi, dhe si personazh kryesor është Doktor Adhmudhi, që e mban veten për njeri të zgjuar. Ky i fundit, me veprimet dhe idetë e veta, vetëdemaskohet duke dashur të tregojë se vepron në kontekst me interesat kombëtare. Kështu Doktori zgjedh abetaren që ka përpiluar, me kompromisin që të përdoret alfabeti latin, po të shkruhet nga e djathta në të majtë, për të mos i zemëruar xhonturqit. Mirëpo këtij personazhi nuk i mjafton vetëdemaskimi, por dëshiron edhe demaskimin nga të tjerët. Dhe kur kupton ç`mendojnë të tjerët për të ai bëhet edhe më qesharak me veprimet dhe reagimet e veta. Këtu situatat komike i krijon shërbëtori, Zeneli,i cili në mënyrë shumë precize e zbulon karakterin e Dr. Adhamudhit, duke e vënë shpesh në situata komike e qesharake.

 Anderson, sjell nën regjinë dhe kujdesin tënd komedinë “Pas vdekjes” të Çajupit, por të përshtatur mjaft mirë me kohën dhe teknologjinë, si erdhi kjo shfaqje, si u ngjiz?

“Pas vdekjes” erdhi si një propozim i trupës për të qenë unë regjisori, që do të udhëhiqte këtë shfaqje. Nuk ishte në planet e mia dhe aq më pak në pasionet e mia kjo vepër. Ishte një punë e bërë me shumë racionalitet nga unë dhe kjo gjakftohtësi bëri që të isha shumë i saktë në punë. Ndonjëherë edhe të përmbaja pasionin e aktorëve, të cilët e kanë përzgjedhur këtë vepër.

E ke menduar ndonjëherë se çfarë është saktësisht ajo që e mbush sallën me magji dhe e mban ajrin pezull në një shfaqje?

Ajo çka quhet magji në skenë, nuk është as më shumë dhe as më pak se sa shkëputja që bën shpirti i aktorit nga trupi i tij fizik. Trajta e personazhit që ai merr  Kapërcehet njerëzorja, kapërcehet tokësorja, dhe e gjitha kjo falë kësaj qenieje që quhet aktor.

Ndërkaq, gjithë aftësia jote si regjisor, momentalisht është përqendruar në teatrin e Metropolit. Impresionet e tua nga puna me pjesën dhe publikun aty?

Aktiviteti im artistik nuk është përqendruar në Teatrin e Metropolit, unë ende nuk kam një bashkëpunim me këtë institucion, përveç shfrytëzimit të sallës për shfaqjen “Pas vdekjes”. Kam mbresat më të mira nga drejtuesit e tij dhe mbi të gjitha për të gjithë prapavijën, e cila i ka shërbyer shfaqjes po aq sa dhe artistët. Unë prej vitesh jam një regjisor i skenës së pavarur dhe kjo gjë më ka dhënë mundësinë të prek të gjitha skenat e Shqipërisë dhe përtej me shfaqjet e mia.

Si është të punosh me kolosë të skenës shqiptare, Marjana Kondi, Bujar Asqeriu dhe Herion Mustafaraj?

Kolosë të skenës i keni quajtur ju, artistë të tjerë dhe mbi të gjitha publiku. Unë pajtohem me bindje me këtë titull që i atribuoni. Unë dua të flas për atë pjesë të tyre që ju apo publiku nuk njeh. Dua të evidentoj qytetarinë dhe kulturën në të cilën këta kolosë mbështeten. E them me bindje se kjo është  arsyeja pse cilësohen të tillë. Kurrë në jetë nuk do t’i harroj bisedat e gjata me Bujar Asqeriu për këndvështrime të ndryshme mbi punën. Ai gjithmonë më thoshte ” Dëgjoje Babin”. Artistikisht ai është babai im. Nuk di nëse kam qenë në këtë punë “fëmija” që e ka bërë krenar por uroj të kem qenë “fëmija” që nuk i solla asnjë shqetësim. Marjana Kondi është një mike e mirë prej vitesh për mua. Një miqësi e lindur nga skena. Sado shumë ta vlerësoni artistikisht, më dhimbseni që nuk njihni njerëzoren e saj. Një zonjë fisnike, e paqtë, një artiste me humanizmin e një mjeku. Herion Mustafaraj, nuk ka skenë që të mund ta përmbajë. Talenti i tij është i madh për skenat tona të vogla.

Do të qëndrojë gjatë shfaqja “Pas vdekjes” te ti si regjisor i saj?

“Pas vdekjes” do më shoqërojë përgjatë gjithë karrierës time si regjisor. Ishte një proces pune shumë i ndryshëm nga ai që unë jam mësuar. Kuptova se pasioni jo gjithmonë ndodhet brenda meje, por ai ndodhet në skenë, mes trupës, gjatë punës, është detyra ime ta lejoj të më përshkruajë. Jo gjithmonë duhet të burojë nga unë.

E fundit herë që ke qenë spektator në një pjesë që të ka mbushur plotësisht?

Kur ulem në karrigen 10, radha 5 në teatrin e  mendjes time dhe shoh shfaqjen e radhës që do ngjis në skenë.

Për një regjisor, i rëndësishëm është fakti që ka punë?

Për një regjisor i rëndësishëm është fakti që ka ende krijimtari.

Cili është perceptimi yt për të shkuarin larg në këtë profesion?

Perceptimi im është që në Shqipëri nuk ekziston nocioni larg. Nuk ka horizont. Ti bën një punë, të nesërmen është harruar, dhe kupton se je një Sizif që duhet t’ia nisësh nga e para. Sërish, sërish, sërish…

Një formë tjetër arti që ka po aq shprehje sa regjisura/teatri e që ju tërheq në magjepsjen që dikton…

Muzika. Për mua muzika është një fe që krijon lidhjen mes njeriut dhe qiellores.

Thonë se: ”Vetëm artistët e dobët janë magjepsës, artistët e mirë ekzistojnë vetëm në veprat e tyre”. Sa vend zë kjo në realitetin artistik sot?

Artistët e mirë duhet të ekzistojnë mes publikut ,jo mes veprave të tyre.

Në jetë, e ke të vështirë ndarjen nga një emocion?

Në jetë e kam të vështirë të ndahem nga një emocion. E mbars gjatë me vete. Kjo gjë më ligështon shpesh herë.

Shëmtia apo e bukura është realiteti i vërtetë?

Realiteti i vërtetë janë sytë e mendjes. Ato na ofrojnë të bukurën dhe të shëmtuarën.

Titujt e librave që dominojnë bibliotekën ose gjenden mbi komodinën tënde?

Janë libra të cilët destinohen të ngjiten në skenë si shfaqje teatrale. Tituj nuk mund të përmend.

Ajo që vlen në këtë jetë?

Lumturia. Dhe nuk më pëlqen ta definoj. Lumturia është tepër subjektive. Mund të jetë gjëja më e parëndësishme për sytë e botës por nëse të bën të lumtur nxirrjani sytë gjithë botës. Çdo kush duhet të rëndë pas lumturisë së tij. Nuk jam dakord për sakrifica sublime, ku njerëzit sakrifikojnë lumturinë e tyre për dikë. Unë e kam bërë dhe ndoshta kjo gjë më ka bërë të palumtur.

Virtyti që të dallon?

Altruizmi. Jam shumë i ndjeshëm ndaj nevojave të të tjerëve sa shkel mbi veten.

Kërkon lumturinë, kënaqësinë apo rehatinë dhe qetësinë?

Lumturinë. Është ndjesia që më bën të kuptoj se jam gjallë, për aq pak sa zgjat, ndonjëherë aspak.

Mendon se e njeh veten aq sa për t’i paraprirë çdo lloj reagimi?

E njoh veten dhe e di që nuk mund t’i paraprijë reagimeve. Jam impulsiv.

Fitoret u takojnë të fortëve, dështimi është për të dobëtit?

Dështimi është për të fortët që kanë guxuar, fitoret për të dobëtit që kanë pritur.

Janë njerëzit apo parimet ato që e lëvizin botën?

Janë njerëzit që shkelin mbi parimet.

E mira dhe e keqja, në ç’raport reflektohen te ti?

E mira reflektohet në marrëdhënie me të tjerët, e keqja në marrëdhënie me veten.

Ka një gjë së cilës është e vështirë t’i mbijetosh?

Mungesa e dashurisë e bën të vështirë jetesën për mua dhe ma kthen në mbijetesë. Mungesa e mamasë time Valentina Gurra, kur një ditë ajo të mos jetë më do ma bëjë të pamundur mbijetesën.

Thuhet se miqtë, librat dhe vera, duhen të vjetër. Ka ndonjë përjashtim në këtë rast?

Ka përjashtim për aq kohë sa është qenia njerëzore ajo që i përzgjedh të tria këto.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.