OPINION

Kohë absurde, apo absurdi i kohës…

07:45 - 21.11.19 Rezana Konomi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ditët që pasojnë njëra-tjetrën në të zakonshmen e tyre janë mbushur së fundi me ngjarje e fakte aspak të zakonshme. Debate të zgjuara dhe rizgjuara mes ekspertësh, juristësh, konstitucionalistësh kanë mbushur tryezat e TV, faqet sociale dhe gjithë mediat që rendin të japin  rekomandime e sugjerime për zgjidhje gjithfarësoj që më shumë kanë çoroditur dynjanë dhe kanë krijuar një kaos të vërtetë.




Natyrisht që reforma e shumë kërkuar e drejtësisë  ka si qellim kryesor të saj  krijimin e një sistemi drejtësie të besueshëm, të drejtë, të pavarur, të hapur, eficient dhe të përgjegjshëm, me integritet moral dhe profesional.

Interesi i  publikut për reformën në drejtësi është pikërisht krijimi  gjykatave, funksionaliteti  tyre, me qëllim që të mund të prekin efektet e vërteta të rivendosjes së drejtësisë së munguar.

Publikut nuk i interesojnë as kushtet që BE i vendos Shqipërisë, nuk i interesojnë konfliktet politike dhe ngërçet institucionale që krijohen dhe as debatet juridike. Të gjitha këto  jo vetëm që nuk kanë zgjidhur problematikat e tyre, por përkundrazi kanë favorizuar mungesën e besimit të publikut se gjithçka po ndodh është në funksion të ndërtimit të shtetit të së drejtës, të krijimit të gjykatave të pavarura dhe të përgjegjshme në shërbim të publikut dhe dhënies së drejtësisë.

Në tërësinë e vet thelbi i reformës lidhet me 3 dimensione:-vetëqeverisje e sistemit, – me përbërjen e tij dhe me funksionimin e sistemit.

Historikisht në rrugëtimin e deritanishëm, për ne shqiptaret, aftësia për formimin e shtetit të së drejtës ka qenë dhe mbetet një sfidë e vështirë, por gjithsesi e vetmja shpresë për një nisje në drejtim të një shteti modern e demokratik.

Aktualisht ne vijojmë të jemi i vetmi vend pa Gjykatë të Lartë funksionale dhe pa Gjykatë Kushtetuese dhe kushedi për sa kohë, si një trup i cunguar, me një drejtësi tashmë jo të rrënuar, por krejtësisht të mohuar.

Ndryshimet kushtetuese në lidhje me Gjykatën Kushtetuese kanë parashikuar disa ndryshime, të cilat fokusohen në: – garantimin e pavarësisë dhe efektivitetit të GJK-së, duke përcaktuar rregullat dhe kriteret për përzgjedhjen e kandidaturave për gjyqtarët kushtetues.

Janë pikërisht cilësitë e gjyqtarëve që kontribuojnë në pavarësinë e gjykatës, për ta bërë atë të pathyeshme ndaj çdo lloj sulmi dhe ndikimi politik, por nuk është vetëm kaq e mjaftueshme.

Në rritjen e autoritetit të gjyqësorit e sidomos të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë të pashmangshme ndikon veçanërisht, mënyra e zgjedhjes së gjyqtarëve.

Identifikimi i kandidaturave, me integritet profesional e moral që mund të caktohen për të kryer funksionet e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë apo Gjykatës Kushtetuese është çështje e institucioneve, të cilat Kushtetuta i ka ngarkuar me përmbushjen e këtij misioni thelbësor për një shtet të së drejtës.

Neni 125 i Kushtetutës i shumëdebatuar ditëve të fundit përcakton se: 3 anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, 3 anëtare zgjidhen nga Kuvendi dhe 3 anëtare zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në 3 vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit.

Natyrisht jo më kot është përzgjedhur kjo formulë formatimi e këtij institucioni kushtetues. Qëllimi kryesor i normës është depolitizimi i institucionit,  shmangia e vonesave të pajustifikuara në emërimin e gjyqtarëve, si dhe rritja e cilësisë së përbërjes, duke parashikuar kritere profesionale të matshme.

Mënyra e formulimit të normës ka si qëllim kryesor që procesi për emërimin e gjyqtarëve kushtetues të garantohet nga filtra përzgjedhës dhe me prurje nga shumë drejtime, me synimin kryesor uljen e ndikimit politik në procesin e emërimit.

Përfshirja e disa aktorëve në emërimin e gjyqtarëve të GJK, duke shpërndarë përgjegjësinë, por edhe duke e bërë më autonome zgjedhjen e secilit organ, pa krijuar ngërçe institucionale që bllokojnë emërimin e gjyqtarëve, synon jo vetëm rritjen e cilësisë së kësaj gjykate, por edhe qëndrueshmërinë e saj përballë presioneve politike të çdo lloji.

Përvoja 14-vjeçare e ndjekur deri tani në zgjedhjen e anëtarëve të GJK dhe GJL mes mekanizmit president-kuvend dëshmoi më së shumti për një qasje të natyrës politike, që merrte dhënia e pëlqimit nga Kuvendi për gjyqtarin e lartë dhe atë kushtetues.

Përtej organit nga iniciohet zgjedhja, performanca e gjyqtarëve të Gjykatës së lartë e kushtetues nuk duhet të jetë e varur nga fakti se cili organ i përzgjedh, apo cila shumicë i voton, por nga vetë integriteti që ata mbartin.

Natyrisht që vlerësimi i integritetit nuk është aspak i lehtë. Të gëzosh integritet do të thotë të mund të dallosh të drejtën nga e padrejta, të veprosh për ta zbatuar atë që beson se është e drejtë dhe mbi të gjitha të kesh këmbënguljen dhe guximin për t’u përballur me këtë të vërtetë, pa u tkurrur nga çdo sulm dhe presion politik apo social. Një gjyqtar me integritet është ai person që duhet të na ofrojë besimin, se është duke bërë gjënë e duhur në kohën dhe momentin e duhur, zbaton  rregullat e lojës dhe di të mbajë betimin dhe premtimet.

Për t’u thyer tek aktualiteti, tek ajo që po ndodh në kufijtë e absurdit. Jemi në kushte kur nuk mund të gjykojmë më se cili organ ka shkelur ligjin dhe Kushtetutën. Presidenti, Kuvendi, KED-ja… Por, diskutimi është kush e ka shkelur më shumë dhe cili më pak.

Pa u ndalur te mënyra se si u përzgjodhën kandidatët për GJK, radha e ndjekur deri tek votimi dhe dekretimi, e cila ndoshta do t’i nënshtrohet ndonjë gjykimi të ardhshëm kushtetues, po cek pak nenin e Kushtetutës që bën fjalë për betimin e anëtarit të GJK. Në Kushtetutë është parashikuar se: “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”. Asnjë paqartësi, asnjë keqinterpretim nuk mund t’i bëhet kësaj dispozite. Pyetja që shtrohet është a mund të konsiderohet gjyqtar kushtetues një “kandidat”, që nuk realizon aktin e betimit para presidentit? Unë nuk besoj se ka ndonjë dyshim për përgjigjen.

Po si është e mundur që edhe në vetë trupën e zgjedhur të GJK, për këtë çështje ndahen votat 2-2…?! Duke qenë në krahun e publikut, e painformuar ose e informuar me gjysmë të vërteta aq sa media ka servirur, a mundet dikush të na sqarojë se cilat kanë qenë argumentet e anëtarëve të rinj të GJK për këtë çështje?

Ndoshta përgjigjja është e parëndësishme në dukje, por në fakt pas saj fshihet një e vërtetë e madhe. Është vënë në pikëpyetje integriteti i anëtareve të rinj, të cilët që në krye të herës shfaqin mungesë të theksuar integriteti dhe ndoshta nuk dinë të ndajnë personalitetin e tyre, profesionalizmin, përkundrejt ndikimit të politikës që i ka mbështetur dhe zgjedhur.

Padashur të paragjykoj për këtë fakt, për të cilin nuk disponoj informacion të plotë sikurse gjithë publiku, dëshiroj të besoj se kjo ndarje e votave të kësaj trupe të re, të ketë arsye të arsyeshme dhe argumente bindëse, për ta na bindur të gjithëve ne, sidomos skeptikëve se janë pikërisht  këta gjyqtarë kushtetues, që e kanë merituar zgjedhjen dhe mbështetjen, pasi koha t’i vendosë në sfida shume të forta, për te na treguar  profesionalizmit, por mbi të gjitha integritetin dhe pavarësinë.

Duke iu referuar veprimit të fundit (nënshkrimit të një deklarate para noterit në përmbajtjen e se cilës është formula e betimit si anëtar i GJK), pyetja tjetër që rrjedh logjikshëm është:

Çfarë vlere dhe pasoje juridike sjell një veprim i tillë i njëanshëm vullneti? Kujt i intereson dhe për çfarë mund të nevojitet?!

Unë, por edhe të tjerë që njohim kandidaten e kemi të vështirë të besojmë se e ka kryer këtë veprim me qartësi juridike duke besuar se do të passjellë pasoja juridike. Nëse do të besoja se ka qenë e ndikuar, apo e detyruar, përsëri nuk është argument bindës për një personalitet që ka njohje të thella të jurisprudencës kushtetuese, sepse do të dinte të kuptonte se është një rrugë pa krye.

Nëse ky akt është kryer në dëshpërim e sipër, për shkakun e thjeshtë se është vlerësuar me meritë e para, në çdo listë të mundshme përzgjedhëse dhe më pas është ndjerë e nëpërkëmbur dhe aspak e vlerësuar nga rrethanat apo preferencat politike, ndoshta me keqardhje mendoj se do ta kuptoja.

Në këtë dreq shteti ligjor, ku nuk gjen asnjë hapësirë për të ngjitur shkallët e karrierës me mund e djersë, me përkushtim e devotshmëri, si rrugë e vetme të mbetet foleza partiake, dyfytyrësia, servilizmi dhe imoraliteti e për rrjedhojë më e pakta, akte të tilla dëshpërimi duhet të presim.

Konflikti politik në raportin president-kuvend që ishte derivuar nga Kushtetuta e mëparshme, me  ndryshimet e fundit kushtetuese jo vetëm që nuk u shmangën, por duket se tashmë është bërë dhe më i ashpër, sepse nuk është thjesht konflikt politik, por dhe institucional. Dhe për ironi të fatit, këtë konflikt të krijuar tashmë, do t’i duhet ta zgjidhë Gjykata Kushtetuese që po riformatohet, e cila në një kuptim e krijoi këtë konflikt.

A do të kemi gjyqtarë kushtetues që do të mund të jenë në gjendje të shfaqin pavarësi, paanësi dhe objektivitet, pa qenë mirënjohjes ndaj organit, apo institucionit që i zgjodhi dhe i dekretoi?!

Koha do të jetë një gur prove se sa me integritet janë gjyqtarët kushtetues të zgjedhur rishtazi, por edhe të tjerë që do t’i bashkohen kësaj trupe. Dhe koha do të farkëtojë çështje kushtetuese me rëndësi madhore, pasi do duhet të gjykojë e vendose për legjitimitetin e zgjedhjeve të fundit, për kushtetutshmërinë e shkarkimit të presidentit e shumë çështje të tjera ende të pazgjidhura.

Për sjelljet absurde që po ndodhin të tipit “hidh e prit topin” nuk ka faj as Kushtetuta dhe as situata emergjente, që rreken disa për t’i justifikuar këto veprime antiligjore. Kushtetuta nëse lexohet drejtë dhe qartë, në asnjë rast nuk mund të lindë kriza dhe ngërçe institucionale, sepse është ndërtuar e tillë që të mund t’i japë zgjidhje çdo problemi që mund të lindë.

E keqja e madhe nuk janë germat dhe dispozitat e kushtetuese, por njerëzit që duhet t’i zbatojnë dhe siç e ka treguar koha, ne kemi probleme me kuptimin e “moskuptimit”. Kemi qasje që ndryshojnë në varësi të kostumit shumëngjyrësh që veshim apo të vendit që zëmë në një çast të caktuar, në kolltuk a nënkolltuk dhe kjo bën që leximi të jetë i mbarë apo i mbrapshte.

Nga gjithçka që po ndodh dhe nuk ka të sosur, duket se aftësia e formimit të shtetit të së drejtës për shqiptarët është një sfidë e vështirë, fatkeqësisht në kufijtë e të pamundurës.

Jemi në kushtet kur çdo afat kushtetues dhe ligjor në formimin e arkitekturës së sistemit të drejtësisë është shkelur, asnjë nga dispozitat e Kushtetutës dhe të ligjeve të miratuara rishtazi nuk po zbatohet ashtu sikurse është shkruar dhe natyrisht që ky bilanc nuk është ogur i mirë i reformës, por mbi të gjitha nuk është fillim i mirë i besimit të munguar te drejtësia, e cila po njolloset që në nisje.

Prof. asc. dr. Rezana Konomi

Dekane e Fakultetit të Drejtësisë

Universiteti “Luarasi”

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.