Sport

Armando Duka “thumbon” Erjon Braçen: Eshtë tifoz më Partizanin, por edhe me zgjedhjet në FSHF (INTERVISTA)

18:01 - 23.11.19 Gazeta Shqiptare

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ishte i ftuar në emisionin “Java” në RTSH, krah analistëve Preç Zogaj e Lorenc Vangjeli.



Duka foli kryesisht për stadiumin e ri, emrin e tij dhe të tribunave, si edhe për marrëdhëniet me kryeministrin Edi Rama, si dhe zëvendësin e tij në qeveri, Erion Braçen.

STADIUMI I RI – 1001 probleme ka çdo vepër, por kjo mendoj se ka edhe më shumë. Stadiumi ndikon në futboll, tek futbollistët dhe në të gjithë sportin. Projekti për të ndërtuar një stadium ka filluar prej kohësh. Nëse do bësh një stadium të tillë, pa para nga buxheti i shtetit, nuk mund ta bësh ndryshe pa biznese. Mund të jetë kullë, ose shtim në sipërfaqe. Qeveria nuk ka dhënë asnjë lek për këtë stadium, ndërsa Bashkia Tiranë ka fituar madje 3 milionë euro nga taksat.

EMRI I STADIUMIT – Të gjithë kanë të drejtë të kenë mendimet e veta. Ne menduam më mirë që duhet të ishte emër komercial, për më shumë të ardhura, dhe kemi përjetësuar 4 emra në tribuna. 3 futbollistë të njohur, dhe një emër si Qemal Stafa. Ne jemi menduar të zgjedhim një futbollist nga Tirana, një nga Partizani dhe një nga Dinamo. Unë mendoj më shumë do ndikojë në cilësinë e njerëzve që futen në stadium, më shumë se në cilësin e lojës. Për komoditetin e mediave, spektatorëve dhe atyre që do vijnë, është më cilësor, për të kaluar 3 orë të gëzueshme në një ambient të mirë organizuar dhe komod.

Duka

BIZNES – Ne do tentojmë të prodhojmë para, edhe gjatë ditëve të javës, jo vetëm ditën e ndeshjes. Më akuzojnë se mendoj vetëm për paratë, por pa para nuk bëhet ky futbolli. Është e pamundur të arrish objektiva pa atë. Do mundohemi që stadiumin ta kemi të hapur dhe të vizitueshëm gjithë javës. Kemi një muze, kemi dy ambiente tip kinemaje, që ata të shohin historinë e Tiranës dhe stadiumit. Do e përdorim për kampionatin kombëtar.

ÇMIMI PËR NJË NDESHJE – Kemi një problem, duke qenë se fusha nuk është e lidhur plotësisht. Nuk e di nëse do jetë gati. Po të jetë gati, do luhet derbi aty. Po bëjmë disa analiza, dhe presim përgjigje nëse do luhet derbi. Shifra për klubet nuk do jenë të pamundura, por që të fitojnë më shumë se në të kaluarën.

MIQËSI ME RAMËN, ARMIQËSI ME BRAÇEN – Kam marrëdhënie të mira me kryeministrat, por unë shaminë e bardhë ia hedh çdo partneri që mund të bashkëpunoj për të mirën e asaj që unë drejtoj. Kur shamia të kthehet mbrapsht, do reagosh. Është një personazh i botës shqiptare, që ju e njihni më mirë se unë. Tifoz me Partizanin? Nuk ka qenë vetëm tifoz i Partizanit, por edhe i zgjedhjeve në FSHF.

ceferin duka

THIRRJET “RAMA IK” – Duka ik? Kanë thënë më shumë se kaq, edhe gjëra të tjera për mua. E kam marrë vesh 24 orë më vonë, se një nga organizatorët për “Rama ik” isha vetë unë. Më vjen keq për fenomenin. Nuk jam dakord që tifozët të bëjnë kore politike. “Duka ik” mund të thonë se janë të pakënaqur me FSHF, por Shqipëria është vend demokratik. Të gjithë turmat mund të organizojnë një tubim, por atë ditë e mendoja që të festonim. Atij mund t’i thonë në bulevard, por jo në ‘dasmën’ e futbollit.

KRITIKAT PËR STADIUMIN – Nuk prisja që për një vepër kaq të madhe, të mos kisha kritika. U vu një objektiv që të hapej me Francën, dhe disa gjëra dhe detaje që janë bërë edhe në minutën e fundit. Ka detaje që kritikohen edhe sipas gustove të njerëzve. Ajo që dua të shoh më shumë, është gëzimi te njerëzit që pashë te njerëzit në stadium. Dikush pinte një birrë një stadium, si kurrë më parë këtu. Salçiçe nuk pashë aty ku isha unë, por në fakt kur shkoj në Gjermani, iki nga VIP-i dhe shkoj atje ku hahen salçiçe.

FINALE EUROPIANE – Ishte në fakt një skenar, për t’i marrë një lloj premtimi që presidenti i UEFA-s të jetë pozitiv për një finale europiane në Shqipëri. Ai e tha se procesi është transparent kur zgjidhet një stadium, por të kesh dashamirësinë e presidentit nuk është pak. Ne e morëm diçka të tillë. Stadiumi i plotëson kushtet. Besoj shumë se një finale të një kompeticioni europian do e bëjmë në Shqipëri.

TRAJNERI REJA – Ndeshja në Turqi kishte elementet e veta. Por, ai që bën lojën e bukur në fund, që mbledh të gjithë elementet, është trajneri. Është një trajner i mirë, nuk ka shkopin magjik për ta çuar Shqipërinë në Botëror, por besoj se mund ta çojë para ekipin tonë. Mundësitë tona reale dhe objektivi që duhet të ketë Reja, është pjesëmarrja në EURO 2024. Kushtet financiare? Kushtet financiare me të do jenë të njëjtat.

KAMPIONATI SHQIPTAR – Këtë vit, mund të përjashtoj Flamurtarin apo Gjirokastrën, por të gjithë janë në garë për kampion. Unë kam pasur babanë tifoz me Partizanin deri ditën e fundit të jetës, dhe nuk kam asgjë me Partizanin. Nuk mund të thuash se një president nuk ka gjë në dorë, por në fund, një ekip nuk e çon dot as në fillim as në fund. Ekipi i mirë të rreh me gjithë arbitra.

DËNIMI I SKËNDERBEUT – Ai është vendim, mirë është të mos diskutohet. E kanë marrë trupa gjykuese, ka edhe një shkallë gjykimi në gjykatën federale në Zvicër. Masat merren për eliminimin e fenomenit. Skënderbeu është fajtor, shumë mirë që u dënua, ta vrasin dhe ta dënojnë me vdekje. Por, a nuk ka tjetër në Europë? Dhe e keqja është, shqiptarët kundër shqiptarëve. Shqiptarët në përgjithësi e kanë vuajtur dënimin e Skënderbeut. Pjesa organizatore u gëzua. Problemi kryesor në botën e futbollit sot është fiksimi i rezultatit. Po bëhen përpjekje për ta eliminuar. Deri para 5-6 viteve ka qenë e theksuar. Të paktën këtë vit, nga kampionati shqiptar, kemi 0 informacione të tilla, për fat të mirë.

SISTEMI VAR – Na duhet një vit për të përgatitur stafin dhe arbitrat. Me VAR është gjykimi tjetër. Dhe besoj pas një sezoni, në vitin 2021, do jetë gati sistemi VAR në Shqipëri.

KOSOVA – Për sa kohë ekzistojnë 2 shtete, ka dy ekipe kombëtare. Sporti mund të ndihmojë në procesin e bashkimit, por nuk e arrin sporti. Ne ushtrojmë aktivitetin sipas ligjit në Shqipëri, ndërsa federata kosovare sipas ligjeve në Kosovë. Kemi marrëdhënie të shkëlqyera me ta. Lobimi jonë që të anëtarësoheshin në FIFA dhe UEFA ka qenë i madh. Së shpejti do tregojmë një aktivitet të përbashkët, por nuk do të thotë që do eliminojmë kampionatet.

RIVAL ME DUKËN – Këshilla e vetme që do i jepja një rivali të Dukës, do ishte që t’i mbushtte mendjen që të ikte. Besoj se kam ende gjëra për të bërë deri në fund të mandatit. Ka shumë kohë deri në atë moment./ Panorama Sport

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *