Intervista

Kreu i UFSH: Persona pa formimin përkatës tregtojnë medikamente në farmaci

15:00 - 25.11.19 Gazeta Shqiptare

Voltiza Duro – Në legjislacionin shqiptar mbi barnat dhe shërbimin farmaceutik, tregtimi i medikamenteve në farmaci nga persona pa formimin përkatës, dënohet thjesht me gjobë. Në intervistën për Gazeta Shqiptare, Diana Toma, në cilësinë e kreut të UFSH tregon se janë evidentuar raste të tilla shkeljesh ku persona pa formimin përkatës dhe në shkelje të plotë të ligjit janë gjetur në farmaci duke ofruar barna për qytetarët. Sipas saj të tilla shkelje duhen parashikuar si vepra penale pasi ushtrimi i profesionit të farmacistit nga persona të cilët nuk e kanë fituar këtë të drejtë është kërcënim i hapur i jetës së njeriut.



A janë zbuluar raste në tregun farmaceutik, të farmacistëve që e ushtrojnë profesionin pa licencë apo diplomë?
Në rrjetin e hapur farmaceutik janë evidentuar raste të tilla shkeljesh ku persona pa formimin përkatës dhe në shkelje të plotë të ligjit janë gjetur në farmaci duke ofruar barna për qytetarët. Kur bëhet fjalë për shkelje të ligjit detyrimisht të lind pyetja se si dënohen këto raste.

Cilat janë masat që janë marrë ndaj këtyre shkeljeve?
Fatkeqësisht në legjislacioni shqiptar, konkretisht në ligjin e barnave dhe shërbimit farmaceutik, kjo shkelje kaq e rëndë dënohet thjesht me një gjobë. Ndërsa, në ligjin e Urdhrit të Farmacistëve ky fenomen nuk parashikohet fare, ndonëse është po ligji që UFSH-në e ngarkon me detyrën e ruajtjes së cilësisë së shërbimit farmaceutik dhe ruajtjen e jetës së qytetarit nga kequshtrimet profesionale të farmacistit. Personalisht kam shprehur mendimin se të tilla shkelje duhen parashikuar si vepra penale e si të tilla duhet të gjejë parashikim në dispozitat e Kodit Penal. Është e pafalshme për ligjbërësin e më pas për ligjzbatuesin që ta shohin në këtë këndvështrim problemin vetëm pasi të jetë marrë në qafë jeta e qytetarit. Mendoj se nuk e teproj kur shpreh një mendim të tillë pasi ushtrimi i profesionit të farmacistit nga persona të cilët nuk e kanë fituar këtë të drejtë është kërcënim i hapur i jetës së njeriut. Duke qenë se Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë në ligjin e tij nuk ka asnjë parashikim për të tilla raste, problematikat e kësaj natyre që kemi hasur gjatë inspektimeve që kemi bërë ia kemi përcjellë policisë së shtetit dhe prokurorisë, por nga këto të fundit nuk ka pasur asnjë reagim.

Si paraqitet trendi i largimit të farmacistëve jashtë vendit, krahasuar me infermierët apo mjekët?
Numri i farmacistëve krahasuar me numrin e mjekëve apo të infermierëve është disa herë më i vogël dhe si i tillë dhe raporti midis numrit të të larguarve që janë farmacistë rezulton të jetë më i vogël se sa numri i infermierëve, por jo më i vogël se numri i mjekëve. Mua nuk më shqetëson fakti i largimit si fenomen, por më shqetëson fakti i shkakut që sjell largimin, pasi nëse një profesionist dëshiron ta ushtrojë profesionin e tij, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vende të tjera është e drejta e tij dhe kjo e drejtë duhet respektuar, por në kushtet kur ky largim është i diktuar nga probleme të funksionimit të sistemit farmaceutik, është i diktuar nga fakti që një farmacist sado i përgatitur të jetë nuk arrin të sigurojë kushtet më minimale për të jetuar ai dhe familja e tij, kjo po që përbën problem dhe farmacistët të cilat po kërkojnë përditë e më shumë të largohen, të jeni të sigurt ndikohen nga këta faktorë.

Cilat janë disa nga problematikat që shqetësojnë sot farmacistët në Shqipëri?
Problematikat janë të shumta dhe fatkeqësisht vijnë duke u rritur çdo ditë. Zgjidhja e tyre është vetëm një, rishikimi ligjit të barnave dhe shërbimit farmaceutik, pajisja me rregullore të këtij shërbimi, dhënia e kompetencave që i takon për të vepruar Urdhrit të Farmacistëve, të pasqyruara në ligjin përkatës së tij, ripërcaktimi në VKM i marzhit të tregtimit të barnave, pasi në formën që është, është fyes për të tërë ata që ushtrojnë profesionin e farmacistit, rishikimi i ligjit të licencave lidhur me mënyrën e hapjes së farmacisë duke e identifikuar jo më si një njësi tregtare, por si njësi të mirëfilltë të kujdesit shëndetësor, vendosja e kritereve për hapjen e subjekteve farmaceutike, përcaktimi i farmacistit si person që ka të drejtë të hapi farmaci, mundësimi i specializimeve brenda vendit sa i takon sektorit farmaceutik, studimi dhe më pas limitimi i personave të cilët kanë të drejtë të diplomohen për farmaci. Në qoftë se do jetë vullneti për ti rregulluar problematikat që ka sistemi farmaceutik, në radhë të parë kërkohet përfshirja e përfaqësuesve realë të sistemit farmaceutik, e jo siç është vepruar deri më tani, ku grupet e punës ose nuk kanë pasur përfaqësues farmacist, ose dhe kur këta përfaqësues kanë qenë pjesë e sistemit farmaceutik, nuk kanë qenë emrat që realisht e përfaqësojnë këtë sistem dhe si rezultat kemi këto ligje që kemi (për sektorin farmaceutik) dhe që janë burim i të gjitha problematikave që farmacisti has sot.

Cilat janë zgjidhjet që ju propozoni?
Duhet që Urdhrit të Farmacistëve në hartimin e ligjeve dhe rregulloreve që lidhen me shërbimin farmaceutik ti jepet vendi që i takon. Shprehem kështu, pasi me ndryshimin ligjor të vitit 2014 UFSH nga institucion pjesëmarrës në hartimin e ligjeve dhe dokumenteve të tjera të rëndësishme për farmaceutikën shqiptare, u vendos në pozicionin e një institucioni të cilit i jepet mundësia thjesht të shërbejë si institucion konsultimi, kur instanca të tjera e shohin si të tillë, pasi mund të ndodhe dhe që nuk pyetesh fare. Kur njeh realitetin shqiptar e kupton fare qartë çdo të thotë të zhvendosesh në pozicionin e këshilluesit kur ti ke qenë dhe duhet të jesh në pozicionin e bashkëhartuesit. Kjo kërkesë që kemi ne si UFSH, vjen dhe pasi janë parë eksperiencat e vendeve të tjera ku sa i takon sektorit farmaceutik, Urdhri i Farmacistëve është institucion vendimmarrës. Nga ana tjetër, kur ligji të ngarkon detyrën e garantit të ruajtjes së cilësisë së shërbimit farmaceutik, kur po ligji të ngarkon detyrimin e ruajtjes së jetës së qytetarit nga kequshtrimet profesionale, nuk di si mund të realizohen këto detyrime, kur ti nuk ke në dorë në radhë të parë, të ndërhysh në rregullimin apo përmirësimin e ligjeve, rregulloreve, të cilat kanë lidhje të drejtpërdrejtë me rolin e garantorit.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *