Opinion-Komente

Edin që vajton në zi, e tradhton Rama i oligarkëve

07:40 - 29.11.19 Andi Bushati

Edi Rama nuk ka zhgënjyer askënd që ka vënë bast se ai do të thyejë kodin e heshtjes këtë ditë zie. Si një propagandist patologjik, për të cilin thirrja e kamerës është më e fortë sesa ajo e arsyes, ai nuk ka duruar dot as 24 orë pa u marrë me kritikët e tij politikë.



Fillimisht u shfaq në “Real Story” për të na thënë se ata që kujtojnë se ai qëndron në fron vetëm për të vjedhur, gabohen. Pastaj i shtoi notat e patetizmit, duke deklaruar se i ndjen të gjithë shqiptarët që janë duke vuajtur, njësoj siç ndjen dhimbjen e djalit të tij. Në fund, si për ta mbyllur ciklin, u përlot dhe e la përgjysmë kohën në ‘prime time’, që i kishte rrëmbyer Sokol Ballës.

Por, nuk u mjaftua me kaq.

Vetëm një orë më vonë e tregoi ku e kishte pasur hallin. Shkroi një status cinik në “Facebook”, për të “përqafuar” ata që e kishin kritikuar gjatë gjithë ditës, pasi e dinte se kushdo që e shante, kujtonte se kishte të drejtë.

Po në fakt, përse e patën fshikulluar kryeministrin, sidomos nga Kosova? Pse ai e ndjeu kaq të nevojshme të përveshte llërët e politikanit, madje pa skaduar afati i zisë kombëtare? Ç’nevojë pati që të luante rolin e aktorit patetik dhe të përlotej ‘live’ para shikuesve?

E gjithë kjo gjë ka një shpjegim.

Edi njeri donte të fshinte nga kujtesa kolektive Ramën që është peng i akteve të tij politike.

Ajo që ndodhi nuk ishte e lehtë. Gjatë gjithë ditës një ortek reagimesh në rrjetet sociale i kërkonin kryeministrit të Shqipërisë të hiqte taksën e Rrugës së Kombit për ata që nga Kosova po sillnin ndihmë për të prekurit nga tërmeti. Ishte shenja dhe mirënjohja më minimale që mund të dëshmonte një shtet. Ishte akti më simbolik që mund të kryhej ndaj kësaj vale të mrekullueshme solidariteti.

Po si u soll Rama?

Ndoshta instinktivisht, ndoshta se e ka të rrënjosur në kokë mbrojtjen me çdo kusht të regjimit të koncesionarëve, ndoshta se beson naivisht se vetëm paprekshmëria e atij grushti oligarkësh, të cilët i ka mëkuar me llokma atdheu, është themeli më i fortë që e mban në pushtet, ai bëri një gafë për të cilën me siguri është penduar si qen.

Kërkesën e zv.kryeministrit Behgjet Pacolli për lehtësimin nga taksa të atyre që po sillnin ndihma, jo vetëm e hodhi poshtë me arrogancë, por u tall dhe në mënyrë të paskrupullt duke thënë: “Kush ka para të ndihmojë për tërmetin, nuk e ka për gjë t’i falë edhe 5 euro”.

Mosmirënjohje, cinizëm dhe sens të këtillë shkëputjeje nga realiteti zor se mund të dëgjohen edhe në ditë normale.

Sesa blof doli Rama me atë që deklaroi, e tregoi më pas rrjedha e ngjarjeve.

Nuk kaloi shumë kohë pas gafës së kryeministrit dhe vetë kompania koncesionare e Rrugës së Kombit, që as në ëndrrat e saj më të këqija s’e ka imagjinuar t’i kundërvihet shefit të madh u detyrua të deklarojë se e hiqte taksën e rrugës për ata që sillnin ndihma nga Kosova.

Presioni sa vinte e rritej dhe të gjithë e kuptonin se është idiotësi të taksosh dikë që vjen për të të dhuruar. Prandaj dhe koncesionari, më shumë u përpoq të ruante imazhin e biznesit të tij, sesa nderin e nëpërkëmbur të kryeministrit.

Në këtë episod, që u ndoq direkt në TV, e rëndësishme nuk është nëpërkëmbja publike e Ramës. As fakti që ai doli zbuluar.

Kryesore është të ngrihen disa pyetje që janë thelbësore për qeverisjen që ai na ofron. Si është e mundur që truri i tij është programuar për të ruajtur si të shenjtë privilegjet e një grushti njerëzish, përpara solidaritetit të qindra-mijëra të tjerëve? Si është e mundur që moscenimi qoftë edhe një fijeje floku i interesit të një oligarku, të të verbojë përpara një bamirësie masive të qytetarëve të zakonshëm?

Si ka mundësi që të shpërfillësh cinikisht pjesën më bujare dhe humane të atyre që kërkojnë të shpërfaqin më të mirën e tyre, vetëm se dikush duhet të arkëtojë 5 eurot sa herë që ngrihet trau?

Përgjigjet e këtyre dilemave gjenden po të kthesh dhe rikthesh videon në të cilën ai kundërshton pezullimin e taksës. Ai aty përgjigjet spontanisht, pa u menduar gjatë, madje është gati-gati ironik me ata që kanë çuar nëpër mendje një marrëzi të tillë.

Rama ngjan i bindur kur predikon se të drejtat e koncesionarit as duhen vënë në diskutim, po ashtu siç do fliste një murg që i vënë në pikëpyetje ekzistencën e Zotit.

Dhe pikërisht për këtë situata është më e rëndë.

Sepse, ndryshe nga sa mendon ndokush, Rama nuk është thjesht grabitësi me maskë, që dërgon në vilën e Surrelit, në selinë e PS-së, apo në parajsat fiskale, thasët me para që i dorëzojnë përfituesit e koncesioneve dhe PPP-ve të tij. Ndonëse për këtë s’e vë më askush dorën në zjarr, ai është shumë më keq sesa kaq. Ai është njeriu që po krijon si tipologji, sundimin e një grushti njerëzish mbi shoqërinë. Ai po modelon një lloj fashizmi ekonomik, ku Pinoçetin e kanë zhveshur nga përdorimi i dhunës dhe ku vendin e ‘Çikago boys’-ave e kanë zënë aventurierët e tranzicionit shqiptar.

Pikërisht kjo lloj mendësie, feje apo besimi te një rrugë qorre, si e vetmja mënyrë për të sunduar, e çoi kryeministrin në qëndrimin ekstremist dhe absurd, që të mbronte dhunimin me taksë të atyre që po nxitonin për të na dhuruar në një ditë të vështirë.

Vetëm kur u përmend, vetëm kur pa se si po shkërmoqej dogma e tij në kontakt me realitetin, vetëm kur vuri re se as koncesionari që kish marrë në mbrojtje nuk i dilte dot më për zot, Rama e kuptoi se çfarë gafe kishte bërë.

Dhe pikërisht aty nxori maskën tjetër. Atë false, të politikanit që nuk është me të fortët, por me viktimat.

Atë të Edit, që di të preket nga vuajtjet, që është në gjendje të ngashërehet në publik dhe që i konsideron gjithë fatkeqët që po përjetojnë këtë tragjedi, njësoj si Gregun e tij.

Aq të madhe e kishte urgjencën ta vishte këtë maskë, sa nuk pyeti më as për respektimin e kodit të zisë.

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *