Kulturë

“Il Manifesto”: Tërmeti në Shqipëri nxjerr spekulimet në fushën e ndërtimit

11:00 - 30.11.19 Gazeta Shqiptare

Mirë se vini në Republikën e betonierave”. Mirela Jorgos natyrisht mund t’i falet pak sarkazëm, një ditë pas tërmetit që goditi Shqipërinë, më i forti i dyzet viteve të fundit. Këtu solidariteti është i përzier me zemërimin pas një tragjedie, që mund të shmangej, të paktën pjesërisht. Avokate dhe aktiviste, Jorgo ka qenë prej shumë vitesh në ballë të luftës kundër abuzimeve në fushën e ndërtimit në Durrës, qyteti më i shkatërruar nga tërmeti. Ishte ajo që drejtoi betejën ligjore kundër “Velierës”, projekti urban kundërvënës, me vlerë 4.6 milionë euro, të paraqitur në prill 2016, nga Bashkia e Durrësit. Synimi i projektit ishte zhvillimi i një sipërfaqeje prej 12 mijë m2, përballë portit të qytetit, por që kishte hasur qysh në fillim, në kundërshti të fortë nga aktivistët shqiptarë, arkeologët dhe gjeologët. Protestat e tyre shkuan dëm. Pasi filloi puna, në nëntor 2017, objekte arkeologjike në formë muresh dhe një varrezë u zbuluan pranë Kullës Veneciane, kalasë së qytetit. Tani ato objekte rrezikojnë të humbasin nën masën e betonit të derdhur, siç ka vendosur elita e re, e ndërtuesve të paligjshëm e të pasur. Kjo dukuri është një murtajë, që po shpërfytyron territorin shqiptar kudo, nga Durrësi në Tiranë, nga Fieri në Vlorë. Sipas të dhënave nga Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT) vetëm në vitin 2017, në Shqipëri janë dhënë 819 leje ndërtimi, nga të cilat 105 vetëm në Durrës, që renditet i treti, pas Tiranës dhe Fierit. Një rritje prej 88.3% krahasuar me një vit më parë. Vitin e kaluar, kërcënimi i ndërtimeve të paligjshme arriti të nxisë një farë kriticizmi edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), që i kërkoi Tiranës (qeverisë) pezullimin e disa projekteve, sepse ato ishin miratuar brenda një kuadri institucional të improvizuar në mënyrë të papranueshme. “Çdo koncesion, përfshirë disa nga të mëdhenjtë e kohëve të fundit, kanë dalë nga një proces jo shumë i rregullt”, u ankua një zyrtar i FMN-së, duke theksuar nevojën për analiza më të detajuara të raportit kosto-përfitim, që do të merrte parasysh edhe borxhin publik. Por, edhe këto rekomandime ranë në vesh të shurdhër. “Qeveria ‘Rama’ s’ka bërë gjë tjetër, vitet e fundit, përveçse e ka përmbytur Shqipërinë me çimento”, sqaron Jorgo. “Dhe e ka bërë këtë duke shpërfillur lëvizjet qytetare, që luftojnë prej vitesh kundër këtyre politikave të pakuptimta. Sot ne thjesht po korrim frytet e këtyre zgjedhjeve”.



Këto zgjedhje e kanë shndërruar zonën bregdetare në një shesh lojërash për turistët, të shkatërruar nga një mori resortesh dhe banesash, të ndërtuara mbi shkëmbinjtë me pamje nga Adriatiku, pa përfillur sitet arkeologjike, pa ndonjë plan ndërtimi të qëndrueshëm dhe pa marrë parasysh brishtësinë hidrogjeologjike, të një vendi të pasur me lumenj dhe male. Bashkia e Durrësit ka qenë një nga përfituesit kryesorë të programit “Rilindja Urbane”, të financuar nga Qeveria, përmes Fondit të Zhvillimit Rajonal. Nga viti 2014 deri në 2017, Durrësi mori mbi 22.4 milionë euro, për të realizuar 29 projekte. Midis tyre, Veliera është bërë më simbolikja, duke demonstruar arrogancën e ndërtuesve spekulantë, që nuk ndalen as kur u duhet të shkatërrojnë trashëgiminë kulturore të qytetit. Atë betejë Jorgo e humbi. Sot, para rrënojave të një prej qyteteve më të vjetra shqiptare, ajo është më zemëruar se kurrë. Kjo ndodh sepse ka pasur një zgjedhje të qartë politike, pas situatës aktuale, ndërsa vendi po rrënohet, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Një zgjedhje, prapa së cilës qëndron jo vetëm lakmia e ndërtuesve, por mbi të gjitha, pastrimi i parave të krimit të organizuar, i cili vitet e fundit ka rritur jashtëzakonisht ndikimin e tij në vend, shpesh në bashkëpunim të ngushtë me pushtetin.
Jorgo nuk e fsheh zhgënjimin e saj, sidomos ndaj kryeministrit socialist, i cili “premtoi një të ardhme të ndritur për Shqipërinë, por përkundrazi, e ka kthyer vendin të paktën tridhjetë vjet pas. “Njerëzit vazhdojnë të largohen nga këtu”, vazhdon Mirela. “S’ka drejtësi, s’ka shpresë. Këtu mund t’i shihni mirë dy fytyrat e Shqipërisë, atë të spekulimeve në fushën e ndërtimit nga të fuqishmit dhe atë të njerëzve të thjeshtë, që jetojnë me 200 euro në muaj. Nuk e di nëse ky do të jetë fundi i Edi Ramës, por ai me siguri s’ka asgjë tjetër për t’i ofruar këtij vendi. Asgjë përveçse më shumë beton”.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *