Opinion-Komente

Tërmeti vdiq. Takohemi pas 90 vjetësh!

07:30 - 03.12.19 Fatos Çoçoli

Nuk janë fjalët e mija. Janë të një sizmologu, profesori të nderuar të sizmikës shqiptare, që ka bërë hartën e brezave sizmikë të Shqipërisë dhe libra të shumtë shkencorë për rrezikun sizmik dhe zonat sizmike të vendit. Nga sizmologë të talentuar shqiptarë ka një tezë të zhvilluar në fillim të viteve ‘80-të të shekullit të kaluar për karakterin akumulues të përplasjeve të ekstremiteteve të pllakave të mëdha kontinentale të Azisë dhe Afrikës në nëntokën e detit Adriatik. Ky profesor ka vërejtur se për një periudhë prej katër dekadash 1979-2018, zona ka pasur aktivitet të ulët sizmik dhe për rrjedhojë, energjia e akumuluar në nëntokë në ekstremitetet e këtyre plakave ishte e madhe. Kjo energji gjeti shfryrje me dy tërmetet relativisht të mëdhenj të 21 shtatorit dhe 26 nëntorit, ku ky i fundit rezultoi edhe shkatërrues për ne. Sipas profesorit, do të duhet një kohë e gjatë që energjia të akumulohet sërish në atë masë sa ishte grumbulluar përpara se sa të ndodhnin dy tërmetet e shtatorit dhe nëntorit 2019. Duke ju referuar tërmetit shkatërrimtar të vitit 1926 në Durrës, profesori thotë se qyteti bregdetar dhe Tirana mund të kenë përballje me tërmete të tjerë të fortë vetëm pas të paktën nëntë dekadash. Çdo të thotë kjo për ne? Që është koha të shkundim prej vetes frikën e fortë dhe gati të pakontrolluar nga një tërmet tjetër shkatërrimtar. Që duhet të shohim përpara dhe vetëm përpara. Duhet ta ndihmojmë qeverinë të na ndihmojë. Po si? Duke ia bërë të qartë se sa më shpejt ia vlen të përcaktojë faturën që i duhet të përballojë. Të mos ketë frikë të thotë një shifër që duket e frikshme. Veprimtarët e turizmit durrsak flasin për mbi 1 miliard euro. Qeveria sigurisht tani është e tëra e angazhuar t’u gjejë strehim të përshtatshëm të pastrehëve nga tërmeti, si dhe të ndajë me profesionalizëm ndërtesat që rrezikojnë jetë njerëzish nga banorët e tyre. Pastaj gjërat e tjera. Mirëpo turizmi ynë s’pret. Tingëllon paradoksale kur akoma lotët nuk na janë fshirë nga fytyra për humbjet në njerëz. Por lot të hidhur për të gjithë do të vijnë nga moszhvillimi ekonomik, nëse këto muaj deri në mars 2020 nuk interesohemi për ofertën turistike durrsake. Ajo nuk duhet lënë në mëshirën e fatit. Që të gjunjëzohet! Ashtu e plagosur, në disa vende e rrënuar dhe e harruar nga të gjithë, sikurse ndodhet tani. Zona turistike e Durrësit ka nevojë për një regjim të veçantë fiskal nga qeveria. Ndoshta me taksa zero, për të nxitur turistët e huaj dhe të vendit të vijnë. E ka domosdoshmëri përcjelljen e një mesazhi për një destinacion të sigurt, të lirë dhe tërheqës. Për këtë duhet të angazhohemi të gjithë. Erdhën muajt e mars-prillit 2020, koha kur ndodhin prenotimet për sezonin turistik të verës 2020. Durrësi turistik është ende i gjithi aty, megjithëse ka disa pak hotele të shkatërruara dhe disa të tjera të dëmtuara aq sa të jenë të pabanueshme. Dhe që përbëjnë më pak se 5 për qind të kapaciteteve të tij. Durrësi pret më shumë se gjysmën e turistëve të vendit tonë. Dhe turizmi na jep dy miliardë euro në vit! Ja përse Durrësi është jetik për ekonominë e të gjithë ne shqiptarëve. Qeveri, lëviz dhe ndihmo turizmin durrsak! Prandaj është koha t’i themi lamtumirë fantazmës së tërmetit shkatërrues dhe të përcjellim forcën e një kombi në ringritje mbi fatkeqësinë dhe mynxyrën që e gjeti. Sa më shpejt të ringrihemi, aq më fort betonojmë shtyllat e ekonomisë kombëtare, që janë turizmi, ndërtimi dhe emigracioni. Ndoshta rënia nga prenotimet e turistëve në mars-prill arrihet të përmbahet dhe duke u kompensuar me vrullin e ndërtimeve të banesave të reja, e rivendos vendin tonë në një rritje të shëndoshë ekonomike. Kjo është shpresa jonë më e madhe për të dalë nga tuneli i errët i pafuqisë, disfatizmit dhe dëshpërimit, ku provoi tërmeti shkatërrues të na zhysë, me të gjitha mëkatet: padijen, abuzimet dhe pabesitë tona në ndërtim. Dhe kur shpresa ngjyhet me argumente kokëforta, zhvillimi ekonomik i lë vend dalëngadalë besimit. Besimit se do t’ia dalim!



Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.