BLUETOOTH

Gerald Murrja: Skena e operës është e shenjtë, jam gati për të prekur dyert e botës

12:00 - 05.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – I spikatur në një prej kompeticioneve më të mëdha muzikore në vend, i njohur me fushat e blerta, për pasionin që do ta rrokte pastaj në performanca të ngrohta të Himnit të Flamurit, pjesëmarrës në festivalet më në zë, e së fundmi, i angazhuar në programin “Këndo këngën time” në “Vizion Plus”, Gerald Murrja vjen në një rrëfim për “Gazeta shqiptare”, për të na njohur më nga afër me të gjitha impenjimet e tij nga ana profesionale, si dhe për të na zbuluar diçka më shumë për të përditshmet, pa petkun e artistit. Të gjitha performancat kanë lënë gjurmë në rrugën artistike të tij, mirëpo ajo që mes emocionesh ndau me ne  ishte hera e parë që u gjend në stadium. Geraldi tregon se nuk i ka munguar asnjëherë mbështetja e profesorëve të tij. Nga një takim i rastësishëm me Kastriot Tushën, për të ecur bashkë në një udhë plot me ndjeshmëri. Lidhja e tenorit me futbollin është më e hershme se dashuria për muzikën. Kështu, ai pohon se ka qenë periudhë e artë teksa luante, mirëpo duke qenë mjaft i angazhuar, e kishte të pamundur të mbante paralelisht të dy pasionet e tij, muzikën dhe futbollin. Sa u përket projekteve, Murrja na thotë se shumë shpejt do të marrë pjesë në një kompeticion muzikor që zhvillohet në Itali, si dhe flet për përgatitjet për produksionet e reja. Për të gjitha ata që pyesin se sa ndryshon jeta e një tenori me atë të njerëzve të përditshëm, Geraldi duke qeshur shuan kureshtjen. E ardhmja duket tepër premtuese, megjithëse artisti synon të prekë tregun ndërkombëtar e të rikthehet në Shqipëri në një moment tjetër, për të ndarë eksperiencën dhe rritjen profesionale.




Ke spikatur në një prej kompeticioneve më të mëdha muzikore në vend. Ke marrë pjesë edhe në shumë të tjera. Sa e vështirë është të hysh në garë si tenor?

Është e vërtetë. Të qenurit këngëtar operistik ka shumë disavanatazhe, por edhe avantazhe në të njëjtën kohë (kur bëhet fjalë për programet televizive). Duke qenë se këngët që i përshtaten një tenori në rastin tim janë të limituara në zgjedhje, kjo gjë më penalizon. Ka raste kur këngët kanë shtrirje të gjerë vokale dhe tingëllojnë mjaft bukur duke sjellë risi apo një version tjetër të padëgjuar më parë. Duhet pasur  shumë kujdes në përzgjedhjet muzikore, pasi njerëzit janë çdo herë kuriozë se çfarë Geraldi do të sjellë këtë herë.

Kur këndohet Himni i Flamurit, çfarë përjetimesh të rrokin shpirtin?

Kur këndoj Himnin Kombëtar përjetoj një nga ndjesitë më të bukura që mund të provojë një artist gjatë gjithë jetës. Kjo ndoshta edhe prej faktit që jam shumë i lidhur me futbollin. Është kjo një arsye që më bën të kem dyfish emocion. Që në vegjëli nuk lija ndeshje të Kombëtares pa e parë në stadium. Kam qenë shumë i apasionuar ndaj ekipit tonë. Mijëra tifozë në stadium, ovacione, brohoritma, këngë patriotike dhe më pas çasti kur këndohej Himni Kombëtar nga Kastriot Tusha. Ëndërroja që një ditë ta këndoja edhe unë bashkë me të, megjithëse më dukej shumë e largët koha, që zërit tim t’i bashkoheshin tifozët në stadium dhe miliona të tjerë, që e ndiqnin nga televizioni. E këndoja dhe unë himnin bashkë me tifozët e tjerë. Pas disa vitesh, patëm një takim të rastësishëm në një program televiziv me profesorin Kastriot Tusha. Aty ishte çasti i shumëpritur që duhet të lëvizja diçka. E urova për çdo gjë që ka arritur dhe i fola për ëndrrën time, duke e pyetur nëse ishte e mundur që të realizohej. Ai buzëqeshi dhe me shumë kënaqësi më dha përgjigje pozitive. Mbas dy javësh ishte ndeshja me Slloveninë. Asokohe kam qëndruar dy javë pa gjumë. Përsërisja himnin në shtëpi, pasi kisha frikë mos e harroja (qesh). Megjithëse e këndoja shpesh kur isha fëmijë, prapë ekzistonte frika dhe emocioni. Kur erdhi koha për performancë, sapo filluam të këndonim, këmbët mu mpinë dhe vetëm dëgjoja oshëtimën e tifozëve, që e këndonin plot pasion. Një ëndërr e realizuar, të cilën po e jetoja. Është kujtimi më i bukur në jetë. Tashmë unë së bashku me profesor Kastriotin, i cili ka qenë edhe ish-pedagogu im, kam pasur fatin ta këndoj edhe në ndeshje të tjera, por hera e parë mbetet një emocion i papërshkrueshëm.

Ka një tendencë për të qenë më pranë publikut me klipe. Pse tenorët zgjedhin të publikojnë më pak videoklipe se këngëtarët e rrymave të tjera?

Unë mendoj se skena e operës është e shenjtë dhe kush këndon aty, e ka marr konfirmimin si këngëtar. Kështu them se nuk është e nevojshme që të bëjë klipe për ta vërtetuar atë. Klipe zakonisht bëjnë këngëtarët që duan vazhdimësi në punën e tyre si për shembull nëpër klube e vende të tjera, të cilat mua për momentin nuk më interesojnë dhe nuk ndihem i qetë për të performuar, pasi preferoj vende të tjera.

Një nga performancat që do të veçoje?

Performanca që do të veçoja është padyshim viti i parë si pjesëmarrës në “Kënga Magjike”, me grupin “Classic boys”, me dy miqtë e mi, Ilsi Ademi dhe Jorgji Bello. Sapo kishim mbaruar “X Factor” dhe na u propozua një këngë e ndjerë nga mjeshtri i madh Adi Hila, me tekst nga Pandi Laço, që ishte njëkohësisht dhe mentori ynë në kompeticionin muzikor të përmendur më sipër. Ishte hera e parë që morëm pjesë dhe dolëm jashtë çdo parashikimi, duke u renditur në vendet e para. Gjithashtu, u vlerësuam me çmimin “Best Group”. Ajo që është e bukura e gjithë përjetimeve ka të bëjë me pjesën e pëlqyeshmërisë së këngës. Kështu “Poltrona jote bosh” dëgjohet edhe sot. Jemi komplimentuar mjaft për këtë produksion. Këtë e kam quajtur gjithmonë vlerësim.

Projekte që mezi pret t ndash me publikun?

Në fakt, këto kohë kam disa projekte, ndoshta, jo shumë televizive, por më pranë botës së operës. Po përgatis dy këngë, të cilat jam në pritje për t’i nxjerrë, pasi dua që këngët e mia të para të pëlqehen. Fillimi për një këngëtar duhet të jetë i fuqishëm, me materiale që ia vlejnë. Pak më vonë do të jem në një konkurs italian të quajtur “Aslico”, ku do të  mundohem të jap më të mirën time. Gjithashtu, jam në përgatitje të operës “Dasma e Figaros”, me një pedagoge nga Gjermania, Caroline Merz. Jemi disa artistë nga Ballkani, që po mendojmë t’i bëjmë bashkë edhe më shumë vendet tona me anë të muzikës. Shfaqjet do i bëjmë në shtete të ndryshme. Ndërkohë, jam dhe në programin “Këndo këngën time” në “Vizion Plus”, ku ka pasur goxha audiencë. Përpos koncerteve dhe aktiviteteve të tjera, përsëri nuk është se jam edhe aq i kënaqur. Po mendoj të largohem jashtë Shqipërisë, për t’u rikthyer në një moment tjetër, për të ndarë eksperiencën dhe arritjet profesionale.

Sa ndryshon Geraldi i skenave magjike me atë përtej botës së ekranit?

Shumë njerëz mendojnë se duhet të jetë i çuditshëm një tenor në jetë të përditshme, por jo (qesh). Nuk abuzojmë me alkoolin, cigaret dhe gjërat e tjera, domethënë gjithçka është normale. Dal me shoqërinë, më pëlqen të udhëtoj, më pëlqejnë shumë sportet, të cilat edhe i praktikoj.

Si sillesh kur të bëjnë padrejtësi?

Ndoshta pjesa që nuk më pëlqen nga vetja është reagimi kur dikush më bën një padrejtësi. Nuk jam njeri që e përjetoj me veten, por e shfaq atë, madje edhe në mënyra të ndryshme duke i shkuar deri në fund padrejtësisë, që më është bërë. Sidomos në vendin tonë ku padrejtësia ulet këmbëkryq dhe çdo ditë kemi të bëjmë me të.

Kujto bisedën më ndikuese që ka mundur të të ndryshoj.

Në jetën time kanë ndikuar shumë njerëz, sidomos në profesionin tim që më kanë qëndruar pranë duke më dhënë kurajë për të vazhduar përpara. Një mbështetje të tillë kam pasur e vazhdoj ta kem nga ish-pedagogia ime e kantos Zina Zdrava. Profesoresha më pikasi që kur isha 15 vjeç. Më mësoi dhe deri më që po flasim, nuk resht kurrë së këshilluari. Për mua ka qenë fat dhe bekim i madh që e kam njohur dhe më ka ndryshuar jetën rrënjësisht. Ndoshta pa të, unë do të kisha një profil tjetër. Jo më kot unë e quaj mamanë e dytë.

Dimë që një pasion tjetër i yti është futbolli. Pse hoqe dorë nga fusha e blertë? Çfarë do të rikthente përsëri?

E vërtetë. Futbolli për mua është dashuri e parë. Që nga fillorja, lënda që pëlqeja më shumë ishte fizkultura, madje edhe pak më shumë se muzika. Asokohe, fillova stërvitjen, madje kam qenë dhe te Partizani, në ekipin e parë për disa kohë, por duke qenë se studioja edhe për kanto në Liceun Artistik, nuk arrija t’i bëja të dyja njëkohësisht, pasi kisha përplasje oraresh. Ishte lodhje e madhe fizike dhe për njerëzit tingëllonte çuditshëm, që një tenor të luaj dhe futboll (qesh). Mendova që në muzikë ndoshta isha pak më shumë i aftë. Po ashtu, mendova dhe për jetëgjatësinë e profesionit, që deri në moshën 32- vjeçare, një futbollist mund të jetë në nivel të lartë, më pas do të ketë ulje. Artisti mund të këndoj deri në frymën e fundit. Tanimë, futbollin e praktikoj për qejf me miqtë e mi dhe është një kohë kur mi heq të gjitha streset e ditës.

Përveç muzikës, diçka që të bën t’i largohesh realitetit?

Fati im i madh është që kam vite që shkoj në kishë. Ka qenë strehëza ime që kur isha fëmijë dhe është koha më e bukur që kaloj çdo të diel atje, por edhe në ditë të tjera me miqtë e mi aty. Është një çast kur njeriu është më i qetë se kurrë, mendon se sa të vegjël jemi dhe se duhet të dhurojmë sa më shumë dashuri. Duhet të respektojmë njëri-tjetrin, të jemi të mirë, jo vetëm në raste fatkeqësish natyrore. Po edhe kur të jemi të lumtur me çdo gjë që na ka dhënë Perëndia duhet ta falënderojmë atë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.