KULTURË

“Tageszeitung” Gazeta gjermane, artikull për ndihmat e teatrit për tërmetin

12:00 - 07.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dje më 6 dhjetor në faqet e kulturës në gazetën gjermane “Tageszeitung” (taz) është botuar ky artikull lidhur me aksionin humanitar të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit “Ndihmë për viktimat e tërmetit në Shqipëri, Besim dhe solidaritet”. Në Tiranë protestuesit duan të shpëtojnë teatrin nga shembja. Tani pas tërmetit, ata mblodhën dhurime për fshatrat e prekura. Më poshtë, artikulli i Tom Mustroph: Protesta kundër shembjes së Teatrit Kombëtar të Tiranës arrin një nivel të ri. Pas tërmetit të rëndë që tronditi Shqipërinë më 26 nëntor, protestuesit e teatrit u bënë thirrje mbështetësve të tyre për ndihma për viktimat e tërmetit. “Ne u lutëm për ushqime bazë, si: miell, oriz, makarona, vaj, sheqer dhe ujë, veshje, mbulesa, dyshekë dhe çadra, si dhe ilaçe. Sipas vlerësimeve tona, rreth 15 000 njerëz reaguan, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Italia”, deklaroi Lindita Komani për (taz). Me dhurimet monetare u pagua material për ndërtimin e disa kontejnerëve për banim, për akomodimin e njerëzve që humbën strehën e tyre. “Më shumë se 200 vullnetarë ndihmuan për të pranuar dhurimet materiale, për t’i paketuar ato, për të shoqëruar kamionët dhe veturat që i transportuan materialet deri edhe në vendet më të vështira për t’u arritur”, tregoi Komani në vijim.




Në të paktën dy fshatra, ndihmat e organizuara nga protestuesit e teatrit ishin të parat që arritën tek njerëzit, theksoi ajo. Komani vlerësoi rezonancën e madhe për lutjen për mbështetje për viktimat e tërmetit si një shenjë besimi nga ana e popullit. “Ne nuk kemi pritur që kaq shumë njerëz të kishin besim tek ne. Mesa duket, ata na konsideruan si njerëz që meritojnë besim, sepse ne kemi vërtetuar që jemi në gjendje t’u rezistojmë praktikave korruptuese të qeverisë”, tha ajo. Deri në fundjavë (7/8 dhjetor) protestuesit duan të vazhdojnë me ndihmën, por në vijim ndihmat materiale që kanë mbetur do t’i dorëzojnë te “Caritas” dhe OJQ të tjera. Pavarësisht angazhimit të tyre për të siguruar ndihmë emergjence, protestuesit nuk i janë afruar arritjes së qëllimit të tyre fillestar, shpëtimit të Teatrit Kombëtar historik përballë planeve të shembjes të një firme shqiptare investimesh dhe zyrës arkitektonike daneze BIG (Bjarke Ingels Group), vlerëson Komani përballë (taz). “Por ne kemi parë, që kur njerëzve të angazhuar e të besueshëm iu jepet mundësia që të zgjidhin probleme serioze, ata mund të arrijnë suksese të mëdha edhe me pak para. Ne kemi treguar që një model horizontal mund të funksionojë dhe që ky model mund të përsëritet kudo në Shqipëri”, përmbyll ajo. Në ditët e ardhshme do të ketë përsëri aktivitete artistike në Teatrin Kombëtar. Nga Kosova vjen grupi Qendra Multimedia me produksionin “Pesë stinët e Armikut të Popullit”, një pjesë mbi korrupsionin në sektorin e ndërtimit. Gjysma e të ardhurave nga kjo shfaqje solidariteti do të shkojnë për të dëmtuarit nga tërmeti.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.