DOSSIER

Në 110-vjetorin e shkollës së Nivicë-Rexhinit të Kurveleshit

12:42 - 12.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga YLLI MERJA, ish-nxënës, ish-mësues dhe ish-drejtues i shkollës – Në vend të një prologuPara pak kohësh mora vesh një ngjarje të bukur nga Durrësi: Një nënë mbushi moshën 90 vjeçare dhe djali i saj dhe bashkëshortja e tij organizuan një sruprizë e cila kishte në vetvete edhe të papriturën e misterit, edhe të bukurën, edhe humanizmin dhe dashurinë e fëmijëve për Nënën e tyre. Për të festuar 90-vjetorin e nënës erdhi djali i saj që banon dhe punon në SH.B.A dhe dy vajzat nga Italia dhe Gjermania. Dhe u zhvillua natyrshëm një festë familjare, një lajm i mirë që mbush shpirtin dhe zemrën e do njeriu. Kjo ngjarje e bukur nga Durrësi antik na kujtoi teksa erdhi 110 vjetori i shkollës sonë të Nivicë Rexhinit të Kurveleshit dhe për çudi asnjë aktivitet nuk u zhvillua dhe asnjë shkrim nuk u shkrua. Dhe e ndjeva, në fakt, veten fajtor dhe mora që të shkruaj… Se 110-vjetori i shkollës së Nivicë Rexhinit, është një nga ngjarjet më kryesore në historikun e këtyre fshatrave. Nuk ka festë më të madhe se ditëlindja e një shkolle, por çuditërisht kjo festë e madhe u la në harresë. Le të shërbejë ky shkrim si një buqetë shumëluleshe, në shenjë mirënjohjeje për të gjithë ata breza mësuesish dhe ata nxënës që kjo shkollë nxori në jetë




Kudo qofshin niviciotë dhe rexhinas

Se kudo qofshin niviciotë apo rexhinas, larg apo afër, brenda Atdheut apo rrugëve të botës, fizikisht apo shpirtërisht, sot jemi këtu tek ti, shkolla jonë e shtrenjtë, ti je vatra jonë ku ne falemi dhe përgjërohemi…Ndoshta ka pak rëndësi qenia jonë pranë shkollës sot, por ideja që ne kemi dalë nga bankat e kësaj shkolle, që jemi brumosur atje me ide shkencore dhe përparimtare, është e madhe.
Këtë ditë të shënuar secili prej nesh mediton në heshtje pranë pragut tënd të florinjtë. Kanë kaluar dallgë dhe stuhi jete por ti ke mbijetuar e bukur dhe plot dritë. Me dhimbje e ke mbajtur shpirtin dhe nuk je ankuar. Një grusht nxënës dhe fare pak mësues ke këto ditë por prapë jeton…Pulsi yt rreh… Jemi ne , qindra dhe mijëra nxënës që të kujtojmë me dashuri dhe përkulemi përpara teje me respekt dhe mirënjohje të thellë… Nivica që hapi shkollën në të njëjtin vit me Normalen e Elbasanit, shtrihet në pllajën e bukur karstike të Kurveleshit, rrethuar nga fshatrat Progonat, Gusmar, Salari, Dukaj, Turan, Bënçë, një fshat me kala madhështore që daton në shekullin e dytë apo tretë para erës sonë, ty o shkolla jonë e dashur të ka mbajtur dhe të mban në gji si xhevahirin e xhevahirit, si trëndafilin e trëndafilit, si kurorën e shpirtit…
Gjurmë të arta, kometa që vijnë drejt nesh
Në kronikën historike të shkollës së Nivicës ka disa figura të shquara, që janë ulur në bankat e saj, që janë rritur dhe mëkuar aty me qumësht jetëdhënës të atdhedashurisë dhe të lirisë. Figura e ndritur e arsimit shqip, Mësuesi i Popullit, Sali Asllan Nivica, ky gazetar sypatrembur dhe pendëartë, themelues dhe inspirues i gazetës “Populli”, u lind në Rexhin në vitin 1890 dhe u vra në Shkodër nga armiqtë e Shqipërisë e të përparimit më 10 janar të vitit 1920.

Mësues dhe publicist i shkëlqyer, i papajtueshëm me çdo mendim apo veprim antidemokratik, atdhetari i flaktë, gazetën e tij “Populli” e vuri në dispozicion të çështjes së madhe të Kosovës, duke pasqyruar mendimet më të përparuara të kohës. Asnjëherë nuk i shkëputi lidhjet me vendlindjen e tij , Nivicën, veçanërisht me kushëririn e tij, Shuko Dalipi, i cili hapi shkollën shqipe në fshat. Sali Nivica e ndihmoi atë dhe shkollën e tij shqipe pareshtur me libra dhe materiale metodike.

Emri dhe vepra e Sali Nivicës ka kohë që është bërë pronë e mbarë kombit. Ne kemi nevojë edhe sot për shembuj të tillë të mëdhenj, të atdhetarisë, të progresit, të dijes. Një tjetër gjurmë e artë, kometë që vjen pareshtur drejt nesh, drejt mendimeve dhe zemrave tona, është Shuko Dalipi, mësues i parë i shkollës së Nivicë-Rexhinit. Më 1904, Shuko Dalipi mblodhi në shtëpinë e tij, fshehtas nga qeveria turke, 15-20 djem nga Nivica, Rexhini dhe Gusmari dhe ju mësoi këndim dhe shkrim shqip.Për mua mbetet e paqartë pse nuk mbahet kjo datë si viti i parë i shkollës. Në kujtimet e tij atdhetari i shquar nivicjot, Riza Runa, midis të tjerave thotë: “Unë me atdhetarin Shuko Dalipi, vamë në shtëpinë e tij dhe zumë dhe bëmë Flamurin e Shqipërisë për herë të parë, se kish 450 vjet i fshehur nga armiku që kish zënë Shqipërinë”. I entuziazmuar nga çelja e shkollës së Nivicë-Rexhinit, Andon Zako Çajupi shkruan:”Aty, në malet e Labërisë ku u çelën dritat e vatrave të shpresës , aty jam edhe unë. Vjershat e mia le t’i këndojnë çunat e Labërisë se më bëjnë të lumtur”. Në vitin 1909, Shuko Dalipi së bashkua me Jaho Karafilin nga Nivica, Bilal Rukinë nga Gusmari dhe Shaqo Buxon nga Progonati, sjellin në Nivicë abetaret e para shqipe dhe çelin shkollën e parë shqipe ku u regjistruan 30-40 djem me mësues Shuko Dalipi, i cili mësimin e gjuhës shqipe e bënte pasdite. Në historikun e fshatit Nivicë midis të tjerave, është theksuar se”…kjo punë , krijoi bazat e nevojëshme, për shkollën e parë shqipe në fshat me mësues Shuko Dalipi, atdhetar i flaktë nga Rexhini…” Mësuesi i palodhur Shuko Dalipi vritet në pritë në mënyrë të pabesë, duke mbetur kështu martir i arsimit shqip, si pararendës i Papa Kristo Negovanit, Pandeli Sotirit etj. Në nderim të punës së tij plot vetëmohim atdhetar në shërbim të shkollës shqipe, shkollës së Nivicë Rexhinit i është vënë emri “Shuko Dalipi”. Nga kjo shkollë kanë dalë edhe Mësuesit e Merituar Hulësi Runa dhe Veli Hodaj.

Shifra dhe fakte, stalaktite drite nëpër vite
Ne vitet 1909 shkolla vazhdoi punën e saj në shtëpinë e Mulo Kacupit një shtëpi 2 koteshe brenda kalasë. Në vitet 1918-1919, shkolla kishte 70 nxënës, mësues ishte Telo Kallarati nga Kallarati i Vlorës, ndërsa në vitin 1920 mësues ishte Jazo Bushi nga Nivica. Në vitin 1923 mësues ka qenë Nimet Selimi dhe në vitin 1924 Shamet Demi nga Camëria. Në vitin 1925 me kontribut vullnetar të popullit të Nivicës dhe Rexhinit, u ngrit një godinë e re për shkollën e cila shërbeu si e tillë deri në vitin 1967. Për këtë në gazetën “Demokracia” të Gjirokastrës të datës 12 dhjetor në vitin 1925, midis të tjerave shkruhet: “Përgëzojmë mësuesin e atjeshëm Shamet Demi, tërë popullin e Nivicës dhe të Rexhinit për energjinë që rrëfyen për ngritjen e kësaj shkolle”. Në këtë periudhë numri i nxënësve kaloi çdo vit të 100 vetët dhe punojnë dy dhe më tepër mësues ndër ta Telo Kallarati, Andon Kallarati, Hilmi Saliu, Ali Demo, Myrteza Ruli, Llambi Durolli etj. Gjatë luftës së dytë botërore shkolla digjet dhe si dhomë shërbimi shërben shtëpia e Hadër Mevlanit. Si rezultat i luftës mësimi zhvillohet me ndërprerje. Në shtator të vitit 1956 hapet shkolla 7-të vjeçare për fshatrat Nivicë, Rexhin dhe Gusmar. Në vitin 1959, mbarojnë për herë të parë klasën e 7-të, 11 nxënës. Numri i nxënësve rritet nga viti në vit. Nga tre mësues në vitin 1955-1956, në vitin 1957-1958, janë 5 mësues dhe një vit më vonë japin mësim 8 mësues. Në konsolidim e arsimit 7 vjeçar të këtyre viteve një punë plot përkushtim kanë bërë mësuesit Iliaz Xhebro dhe Hulësi Runa. Më 1 shtator 1978 përurohet lokali i ri i kopshtit të fëmijëve me të gjitha mjediset e nevojshëm, ku u regjistruan 52 fëmijë në dy grupe. Në vitin 1983, u çel shkolla e mesme bujqësore, profil fruti kulturë. Në vitin e parë u regjistruan 19 nxënës nga të cilët 15 nga fshati Gusmar. Në vitin 1983 u ngrit biblioteka e shkollës me të gjithë parametrat e një biblioteke të kohës duke qenë biblioteka më e mirë e të gjitha bibliotekave të Rrethit. Gjithashtu në shkollën tonë u krijua baza prodhuese në të cilën u eksperimentuan metodat e reja të prodhimit. Po kështu u krijua kabineti i fizikës nga mësuesi Halo Malaj dhe kabineti i biologjisë me mësues Iljaz Bresho. U fut për herë të parë mësimi i anglishtes me mësues Sorkadh Malaj. Në vitet 1909 -1940 kanë kaluar në bangat e shkollës 352 nxënës. Në vitet 1944-1957 kanë mbaruar shkollën fillore 183 nxënës. Në vitet 1957-1999, kanë mbaruar shkollën shtatë dhe tetë vjeçare 756 nxënës.

Në vitet 1983-1999 kanë mbaruar shkollën e mesme 236 nxënës. Në vazhdën e këtyre viteve kanë mbaruar shkollën e lartë shumë nxënës të kësaj shkolle me profesionet mjekësi, inxhinjeri, ekonomi.mësuesi, 200 agronomë, juridik dhe ushtarak. Një ngjarje që vlen të shënohet është se krahas nxënësve të ditës, shkolla e mesme hapi dyert e saj për shumë të rinj dhe të reja që nuk kishin pasur mundësi të vazhdonin shkollën ditën, të regjistroheshin në shkollën e mbrëmjes dhe të mbaronin me sukses. Meritë të veçantë kanë për këtë dy drejtues të shkollës të asaj periudhe Iljaz Xhebro e Sorkadh Malaj. Nder, respect dhe mirënjohje për mësuesit e kësaj shkolle nëpër vite drite: Shuko Dalipi, Hysni Duka, Jazo Bushi, Ali Beqohitaj, Afez Skëndi, Peref Shehu, Hulësi Runa, Iljaz Xhebro, Gani Bega, Mehmet Shehaj, Elmaz Micko, Zaçe Veshi, Veli Hodaj, Iljaz Bresha, Halo Malaj, Asqeri Hodaj, Sorkadh Malaj, Ylli Merja, Bedri Lopa, Bedri Balili, Feim Xhebraj, Veledin Micko, Heder Merjo, Sinan Lilaj, Bashkim Ruçi, Halil Bega, Eugen Demiri, Nevro Hoxhaj, Liri Bazhaj, Sadete Hadëri, Merushe Bega, Vojsava Dajko, Haxho Hitaj, Razie Xhaka, Kadesë Hasani, Afife Ceka, Shqiponja Ruçi, Margarita Seferi, Xhixho Malaj, Teuta Shehu, Bexhe Hoxha, Katerina Beqo, Vasilika Hoxha, Adriana Malaj, Klara Ruçi, Miranda Matuka, Leonora Merja, Shpresa Demiri, Djana Hazizi, Nexho Kadënaj, Bilal Rukia, Shaqo Buxo, Telo Kallarati.Shamet Demi, Andon Golemi, Hilmi Saliu, Myrteza Ruli, Llambi Durolli, Hysni Gjonça, Apostol Vezuvi, Vasil Dalani, Mustafa Fico, Hiqmet Shehu, Safet Kofina, Sabri Myftari, Milto Bejleri, Nuri Musta, Shpresa Qeribashi, , Hamide Shehu, Rustem Ismailati, Odise Xhupa, Janaq Dhrami, Munyr Sadikaj, Spiro Nako, Syrja Dalipi, Bajram Kerri, Feti Quku, Dede Martini, Enver Bozgo, Idajet Çaushi, Serafin Koxhini, Birjet Çaushi, Birçe Hasko, Anastas Kristofori, Spiro Draci, Vullnet Çabej, Fiqiri Qëndro, Eqerem Shena, Genci Joka, Todi Mustaqi, Arqile Zoto, Jorgo Malo, Beqar Skënderi, Thoma Meci, Vangjel Kallo, Spiro Cingu, Kristo Zoto, Islam Gjollesha, Arben Hasa, Krenar Dadaj, Jaho Canaj, Lindita Majkaj, Bardha Mullaj, Mjaftoni Buzi, Miranda Muçi. Gjithashtu në shkollën tonë kanë punuar si mësues edhe Daut Gumeni, Muho Bardhi, Sako Bardhi, Perikli Gjergji, Bedri Cika e Anita Meta.

Shkolla, vullneti, talenti dhe solidariteti i një komuniteti
Në fakt historia 110 vjeçare e shkollës së Nivicë-Rexhinit të Kurveleshit, është histori e vullnetit, talentit dhe siolidaritetit të komunitetit. Tek shkruaj këto rreshta , më kujtohem fjalët e jetëshkruesit të parë okular të Garibaldit i cili midis të tjerave thotë: “Unë po ti tregoi ty siç do t’ia u tregoja fëmijëve të mi përreth oxhakut në mbrëmjet e dimrit… dhe as të mos të vijë keq në qoftë se tregimi im të duket i thatë sepse nuk kam ndër mënd të tregoi tjetër veçse çfarë pashë dhe dëgjova dhe ti e kupton se unë nuk mund të kisha sy e veshë për të parë dhe për ti dëgjuar të gjitha. Por ji i sigurtë se unë nuk do të shtojë asgjënë më të vogël, se nuk do të them asgjë veç të vërtetës së shenjtë…” Kështu dua ta tregoi historinë e shkollës sonë, një histori e lidhur fort me njerëzit e atyre fshatrave, të atyre maleve krenare dhe atyre zemrave bujare labe, një histori e lidhur fort me komunitetin e vet. Që nga vitet 1904-1909 shkolla u hap në një shtëpi fshatare, në shtëpinë e Shuko Dalipit.
Kur numëri i nxënësve u rrit kjo shkollë funksionoi në shtëpinë e Muho Kaçupit brenda kalasë ku ishte më gjerë dhe më qetë dhe ku kish edhe një dhomë infermierie, ndërsa në vitin 1925 fshatarët ndërtuan vetë një shkollë të re dykatëshe dhe të bukur. Edhe në vitin 1997, kjo shkollë funksionoi normalisht, sepse pikërisht e ruajti atë si sytë e ballit, komuniteti si xhevahir të zemrës dhe të shpirtit të vet.

Në vend të një epilogu

Shkolla të bën vetvetiu poet dhe unë në këtë 110-vjetor të shënuar të saj thura këto vargje për vatrën tonë të paharruar të dijes:

Ashtu si lulja që çel në gur
Në majë të malit të Labërisë
Ti je një lule që nuk vyshket kurrë
Lule e ndritshme e diturisë

Një bahçe plot lule shëmëngjyrëshe
Dhe vatra e jotë e ngrohtë , bujare
Lule e mirësisë, Shqipërisë
O Bletë e Artë dhe krenare

Si fëmijë vijmë drejt teje
Prej Rexhinit dhe Nivicës
Ti na frymëzon dhe nëpër deje
Na shkon lumi yt i dritës

Magjiku lum dhe i kristaltë
Që pas na ndoqi larg në jetë
Dhe kudo jemi na bëri bashkë
Një vatër dijesh e vërtetë…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.