KULTURË

TË ZHDUKUR NË DIKTATURË/ “E shkuar e pakryer”, një ekspozitë për ata që nuk dimë ku prehen

11:00 - 12.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Shenjimi i vendvarrimeve të mundshme të të pagjeturve, nuk tregon vetëm Shqipërinë tjetër që fsheh të humburit në nëntokën e saj, por na tregon edhe se disa prej nesh qenë të aftë ta kthejnë vendin në një hapësirë burgjesh, varresh e frike që zgjat deri sot. Fatet e të pagjeturve dhe familjarët që enden në kërkim si Sizifi me gurin mbi shpinë, duke ia nisur gjithnjë nga e para, dëshmojnë veçse vazhdimin e krimit. Nëse vrasja është një krim, fshehja e trupit dhe moskallëzimi janë krime më vete.
Shumë prej persekutorëve të të humburve, janë ndarë nga jeta. Emrat e tyre shënohen mbi vendime ekzekutimesh, e me të njëjtën lehtësi, ‘e zezë e për çudi e ndritshme’, shenjohen mbi pllaka të mermerta. Në përvjetorë, tufa lulesh vyshken mbi to. Viktimave të tyre u është mohuar kjo e drejtë. Si të mos kishin qenë kurrë. Peshorja e padrejtësisë duket se anon edhe në jetën e përtejme, atëherë kur trupat të çliruar prej shpirtrave prehen në amshim.




Njeriu e bëri diktaturën, por njerëzimi duhet të dëshmojë se është më i fortë se diktatura. Ndaj kjo ekspozitë e çelur nga Autoriteti i Dosjeve në Muzeun Historik Kombëtar, është një përpjekje për të nxjerrë në dritë historitë e pathëna të njerëzve që ju pre fjala e jeta, duke ju mohuar edhe varrin.

Harta e vendvarrimeve111 në komunizëm Harta e vendvarrimeve 79022516_2180059982095786_6485203718479282176_n Një nga panelet e ekspozitës
<
>

Është një përpjekje për të kujtuar ato foshnja dhe fëmijë, që pa u ndërgjegjësuar ende se ç’është jeta, pa ia dalë të njihnin konceptin e fajit, gjetën vdekjen. Ata, as nuk ia mbërritën të thyenin qoftë dhe ligjet komuniste.
Është edhe një përpjekje për të kujtuar njerëzit që folën, që guxuan, që kërkuan një Shqipëri më të mirë. Është një përpjekje për të thënë se ata ishin dhe e dhanë shembullin e tyre dhe se ne duhet t’u japim zë. Secili varr pa emër dhe secili emër pa varr është një mesazh që ne duhet ta gjejmë dhe ta përcjellim. Për të mos harruar! Kjo ekspozitë është një përpjekje për të ndërgjegjësuar për nevojën për përgjigje të familjeve mbi fatin dhe vendndodhjen e personave të humbur. Është një sprovë e vogël në kërkimin e paqes sociale, që nuk mund të vijë pa i dhënë fund vuajtjeve të atyre që kërkojnë familjarët. Është një përpjekje për të treguar të gjitha kategoritë e të zhdukurve, nga të miturit (fëmijët e Tepelenës), te mjekët (Doktor Venancio Lozzi), inxhinierët (Kujtim Beqiri a Stanislav Zuber), gazetarët (Xhemal Fraka), mësuesit (Mark Shllaku), bankierët (Giuseppe Terrusi), familje të tëra (Kazazët), intelektualët (e Bombës në Ambasadën Sovjetike) e klerikët nga jugu në veri. Në këtë krim të pambarimtë të persekutorëve, ka edhe një pritje të pambarimtë të familjarëve, dhe sa më shumë shtohet heshtja e të parëve, aq më e fortë është dhembja e të dytëve. Sepse për çdo ditë që mbaron, pesha e fajit e të parëve shkon në përpjesëtim me barrën e pafuqisë së familjarëve.

Ndaj kjo ekspozitë është sa homazh për të humburit, po aq, një zë përkrah të mbijetuarve. Fytyrat e fshira të 6 mijë njerëzve janë e shkuara jonë që nuk ka shkuar, janë një e shkuar e pakryer. Parimet etike mbi të cilat ne ndërtuam të ardhmen janë parime tërësisht joetike. Ndaj plasticiteti i së tashmes sonë është një artific. Kohët e diskursit janë tejkaluar dhe duhet t’ia lënë vendin veprimeve.

Parlamenti Europian ka miratuar një rezolutë të re në shtator 2019 mbi rëndësinë e një kujtese të përbashkët europiane, duke shprehur respekt për secilën viktimë të sistemeve totalitare, shpreh mbështetje për përkujtimin e tyre dhe shqetësim për përdorimin e simboleve të regjimeve dhe glorifikimin e tyre. Duke pasur parasysh që kujtimet e së kaluarës tragjike të Europës duhet të mbahen gjallë, në mënyrë që të nderohen viktimat, të dënohen autorët dhe të shtrohet rruga për një pajtim bazuar te vërteta dhe përkujtimi, rezoluta e PE thotë se kujtimi i viktimave të regjimeve totalitare, sikundër njohja e rritja e vetëdijes për trashëgiminë e përbashkët europiane të krimeve të kryera nga diktaturat komuniste, naziste dhe të tjera ka një rëndësi jetike për unitetin e Europës.

Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të shtetit 1944-1991, e ka vënë fokusin e punës së tij në zbardhjen e së kaluarës. Me synimin që t’u kthejë dinjitetin viktimave pa faj, të respektojë të drejtën e familjarëve për të pasur një varr me eshtrat e të humburve nismat në këtë lami, kanë qenë të shumta. Një hartë e madhe që tregon varret e pagërmuara, varret e mundshme të atyre që vdiqën në emër të lirisë, besimit dhe një jete ndryshe.
Shenjimi i vendeve të kujtesës, takimet me të mbijetuar në kampe, propozimet për të nderuar shembujt e qëndresës, mbledhja e dëshmive, kontributi dhe organizimi i grupeve studimore, deklasifikimi i dosjeve dhe vetë kjo ekspozitë që sjell raste shqiptarësh të zhdukur dhe raste që familjet kanë mundur t’i gjejnë synon edhe të ndërgjegjësojë këdo që ka informacion të bëjë sot, atë që nuk mundi ta bënte nën regjimin komunist.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.