KULTURË

Visar Zhiti: Nishani, karikaturë e Enver Hoxhës, më akuzon me letra nga populli

09:09 - 23.03.17 gsh.al
GSH APP Get it on Google Play



 

Fatmira NIKOLLI

 

I ngarkuari me punë i Shqipërisë në Vatikan, Visar Zhiti, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” reagon pas deklaratës së presidentit Bujar Nishani, se një ish-i përndjekur e akuzon shkrimtarin e ish-ministrin si bashkëpunëtor të administratës së burgut të Spaçit në vitet 1982-1983. Atë kohë, vetë Zhiti ka qenë në burg. Në përgjigjet të pyetjeve, ai përgjigjet se: “Unë nuk e di kush është i përndjekuri P.V. Atë duhet ta dijë presidenti. Nuk kam spiunuar të burgosurit, kam refuzuar dhe ka një dokument të bërë publik për këtë. Me administratën e burgut kam pasur atë marrëdhënie që kishte një i burgosur me administratën e burgut dhe me komandën. Madje kam punuar si skllav”, tha Zhiti.

Ditën e mërkurë, në një intervistë për “Panoramën”, presidenti i vendit, Bujar Nishani thoshte se “kur u bë publik propozimi i kryeministrit Rama për të emëruar Zhitin ambasador në Selinë e Shenjtë, unë mora mesazhe dhe dëshmi nga ish-i përndjekuri politik P.V., i cili e akuzonte Zhitin si bashkëpunëtor të administratës së burgut të Spaçit”.

Ky reagim i Nishanit vjen pas një reagimi të Visar Zhitit në “GSH”, ku ai publikoi edhe një poezi dhe e kritikoi Nishanin pas dekretimit të ministrit Fatmir Xhafaj. “(Presidenti) flet për diktaturën e dikurshme, kur është vegël e saj e mbetur, flet për të persekutuarit, kur vetë është persekutor, edhe pse i paaftë”, thoshte Zhiti më 20 mars. Ndërsa, në intervistën e tij të sotme për “GSH” thotë se “një president duhet të jetë i përgjegjshëm kur flet për qytetarët e vendit të tij, sidomos kur janë të persekutuar nga regjimi ku ai ishte ushtarak i tij i zellshëm. E përsëris, unë pata fatin dhe fuqinë që ta refuzoj bashkëpunimin me të keqen, por presidenti nuk duhet të flasë si kafeneve apo studiove klanore, e porosis të ketë kujdes, se një herë i shtypën njerëzit, i thyen, i bënë vegla të tyre dhe tani ua përflasin – u bëjnë shantazh e i shpërdorojnë”.

Në shkurt të vitit 2015, presidenti Nishani refuzoi kandidaturën e Zhitit si ambasador në Vatikan, sipas propozimit të kryeministrit Edi Rama, kur Zhiti megjithatë shkoi, por si i ngarkuar me punë. Pas dy vitesh, debati rihapet.

Më poshtë pjesa e parë e intervistës së shkrimtarit, poetit, ish-ministrit e diplomatit, Visar Zhiti.

– E njihni ish-të përndjekurin P.V., që i ka shkruar presidentit duke ju akuzuar ju si bashkëpunëtor të administratës së burgut të Spaçit në vitet 1982-1983 në procese të ridënimit të të burgosurve?

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj dhe shqetësimin qytetar që shfaqni. Me rëndësi për Shqipërinë, mendoj, do të kishte pyetja nëse e njohim presidentin. Presidentin, për fat të keq, e njoh, “të përndjekurin P.V.” s’kam si ta njoh, është pa emër, e njeh presidenti, për fat të mirë. Por presidenti i ka të gjitha strukturat dhe mekanizmat, dhe institucionet, dhe dosjet, dhe kanalet e fshehta e të pafshehta, bashkëpunëtorët, televizionet, gazetat, deputetët, partitë, burgjet, vrasësit profesionistë, të kaluarën e tij, etj., etj. dhe s’ka pse flet me “letra nga populli” apo kundërpopulli, apo të spiunëve të dikurshëm, ashtu siç bënte diktatori Enver Hoxha, më saktë si karikaturë e tij. Të flasë me prova, dokumente, institucionalisht.

Deri më tani unë kam folur për të si qytetar dhe në këtë kuptim kam të drejta më shumë, madje edhe të zemërohem. Po ai është presidenti i vetëm në botë, kryeqytetari i parë i vendit, që flet kundër qytetarit të vendit të tij pa asnjë provë e dokument, por me zemërim e shpifje. Dhe më ka dekoruar dikur. Ia kam refuzuar, por e mora për të mos vënë në vështirësi bashkëvuajtësin tim, zotin Amik Kasoruho, që punonte në Presidencë dhe më propozoi. E konsideroi si akt të tij, kam dashur ta kthej, por nuk e kam gjetur ku e kisha hedhur. Ndërkohë më ka dekretuar dhe si ministër… Natyrisht, ky ishte vendim i kryeministrit të atëhershëm, zotit Berisha, marrëdhëniet me të cilin ishin korrekte dhe institucionale, kurse në planin njerëzor mjaft të mira. Po kështu, edhe me kryeministrin e tanishëm, z. Edi Rama. Dua të them se si qytetar dua t’i shërbej vendin, kohës sime, në mirëkuptim, në bashkëpunim të gjerë dhe me paqe.

– Pse vjen kjo akuzë?

Nga kush? Nga presidenti apo “P.V”? Nuk duhet t’i përgjigjem unë kësaj pyetjeje, por presidenti dhe “P.V”-ja e tij. Presidenti e ka zbuluar, ka interesa vetjake, aspak parimore e instuticionale, interesa, që mbase një veting do t’i nxjerrë, mua më çoi fati a rasti që të jem atje ku nuk i duhej interesave të tij, por jo vendit. Po pse më akuzon “P.V” e presidenti, e përsëris, s’e di kush është dhe s’e njoh. Do të më pëlqente të flisnim për punën dhe arritjet dhe si mund të bëheshin mjaft gjëra më mirë…

– Cila ka qenë marrëdhënia juaj me administratën e burgut të Spaçit në vitet 1982-1983?

Si e një të burgosuri me administratën e burgut dhe me komandën. Shtoj se edhe atje bëj pjesë në të burgosurit e persekutuar, pa asnjë privilegj, edhe pse ishin aq mjeranë në burg. Kam punuar si skllav në punërat më të rënda që mund të bëjë një i burgosur, nëntokë, në minierë, në atë që quhet Zona e Dytë. Jam plagosur disa herë, kërcënuar, tani kam gjetur se jam spiunuar edhe atje kur flisja kundër, ndërkohë kisha miq me moral të lartë, heronj.

Poezitë që kam shkruar fshehurazi në burg, për të cilat edhe mund të pushkatoheshe, m’i kanë ruajtur edhe ata, duke rrezikuar kokën. Jam krenar për miq të tillë, heronj, që jo vetëm nuk më denoncuan, por përkundrazi më mbrojtën. Arrita t’i nxjerr nga burgu poezitë e mia, janë dëshmi autentike, ende… dhe ja shpërblimi që na jep Presidenti i Republikës, koleg me oficerët e burgut, por që s’ishin si ai, mes të cilëve kishte dhe korrektë, edhe njerëzorë, etj., etj. I kam treguar të gjitha te dy burgologjitë e mia, me emra të vërtetë, persekutorë e të nëpërkëmbur, qëndrestarë dhe martirë. Por të kthehemi tek pyetja: me administratën e burgut jo vetëm që nuk kam qenë bashkëpunëtor, por i përndjekur i tyre, me njerëzit atje, qofshin edhe me të këqijtë, kam pasur marrëdhënie dhembshurie, rrija edhe me priftërinjtë, kam marrë mësime prej tyre.

(pjesa e parë. Pjesa e dytë do të publikohet në orën 14:00)

GSH.al

 

 

– Historia e një debati/ Si nisi përplasja mes Kishës, Zhitit e Nishanit

Në shkurtin e vitit 2015 u bë e ditur se kryeministri Edi Rama kishte propozuar në Presidencë, Visar Zhitin si ambasador të Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, por presidenti Bujar Nishani e kishte refuzuar emrin e tij. Pas kësaj, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” Visar Zhiti shprehej i habitur nga ky refuzim dhe fliste për një miqësi mes tij dhe Nishanit, duke lënë të kuptohej se vendimi i Nishanit do të rikthehej me kalimin e ditëve. Kujtojmë në këtë pikë se shkrimtari e poeti Zhiti kishte qenë për pak muaj në vitin 2013 ministër i Kulturës i emëruar nga kryeministri i atëhershëm Sali Berisha, ndërsa Nishani vinte në krye të shtetit shqiptar po nga e njëjta parti, ajo Demokratike. Pas refuzimit të Nishanit, një tjetër ‘refuzim’ erdhi ndaj Zhitit. Këtë herë nga Kisha Katolike.

Në një intervistë të botuar atë kohë po në “GSH”, George Frendo (sot arqipeshkëv)– atëkohë ipeshkëv ndihmës i dioqezës Tiranë-Durrës dhe sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, tha se ”Kisha Katolike nuk ka asgjë kundër personit të Visar Zhitit… Është një person me integritet… Megjithatë, duhet të kemi parasysh se Selia e Shnjtë është një shtet shumë i veçantë… Është e përshtatshme që ambasadori kur është e mundshme, dhe këtu në Shqipëria është e mundshme, të caktohet një katolik”. I habitur për herë të dytë, Visar Zhiti deklaronte të nesërmen sërish për “GSH” – pasi e cilësoi refuzimin absurd, sidomos pasi Papa Françesku lavdëron harmoninë fetare në Shqipëri se “nuk ka teserë feje, ashtu si nuk ka teserë partie, por meqenëse po flasim, unë momentalisht shkoj në kishë e ndez qiri”. Ai shtonte se kjo i kujtoi inkuizicionin dhe se qe reagim fundamentalist.

Pas reagimit e refuzimit të Kishës në “GSH”, reagimi politik qe i madh. Deputetë të majtë e të djathtë mbështetën kandidaturën e Zhitit për në Selinë e Shenjtë, duke kundërshtuar vendimin Nishanit, si edhe qëndrimin e Kishës Katolike në Shqipëri. Vetë kryeministri Rama, tanimë në messhkurtin e 2015-ës, do të shkruante në “Facebook”: “Poet i rrallë. I burgosur politik i diktaturës. Shqiptar edhe më i rrallë. I vetmi deputet e ministër i Partisë Demokratike që s’ka fyer kënd dhe as ka shpifur për askënd.

Një periudhë shërbimi në diplomaci me kontribut për kulturën. Botues i një volumi dinjitoz në italisht në nderim të Nënë Terezës. E propozojmë për ambasador të Shqipërisë në Vatikan. Një figurë lokale e kishës katolike shqiptare prononcohet me rezerva ndaj tij. Prononcim i papranueshëm, për të cilin vetë ati në fjalë kërkon ndjesë publike. Komisioni i Jashtëm i Kuvendit i jep Visar Zhitit mbështetje pa asnjë rezervë. Vetë Selia e Shenjtë, përmes Nuncit Apostolik në Tiranë na përcjell mirëpritjen më të ngrohtë për propozimin, me fjalët më të mira për kandidaturën”. Ndërsa, Nishani e refuzoi sërish, kryeministri dhe ministri i Jashtëm prapëseprapë e dërguan Zhitin në Vatikan, por vetëm si të dërguar me punë.

F. Nikolli

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.