EKONOMI

Mësuesit e 22 shkollave në kryeqytet nënshkruajnë letrën pro aksionit sindikal. Alma Lama: Shpërblimet e fundvitit na janë mohuar

09:51 - 15.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Voltiza DURO

 

Prej 5 ditësh në shkollat arsimit parauniversitar në kryeqytet, por edhe më gjerë, ka nisur nënshkrimi i një letre pro lëvizjes sindikale nga ana e mësuesve. Në këtë shkresë parashtrohen të gjitha kërkesat bazë të mësuesve, që për një kohë të gjatë nuk janë marrë në konsideratë nga instancat përkatëse. Mësuesit e Tiranës, në 22 shkolla, kanë firmosur në masën 100% letrën, duke shprehur kështu vullnetin e tyre të lirë pro ndryshimit të situatës e pro dialogut social me Ministrinë e Arsimit. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, Alma Lama, mësuese kimie, njëkohësisht edhe kryetare e Sindikatës së Pavarur të Arsimit për Tiranën, pjesë e SPASH, rrëfen të gjitha problemet që hasin përditë mësuesit në arsimin parauniversitar. Lama tregon se prej 5 vitesh, shpërblimet e fundvitit u janë mohuar pa të drejtë e i bën thirrje MASR për dialog social, në mënyrë që shqetësimet e mijëra mësuesve në vend të dëgjohen.
Prej sa kohësh jeni në drejtimin e Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, dega Tiranë?
Prej 18 vitesh punoj si mësuese në të gjitha ciklet e arsimit parauniversitar, kam qenë edhe në pozicionin e drejtueses në disa shkolla të Tiranës. Prej 2 vitesh udhëheq Sindikatën e Pavarur të Arsimit për Tiranën, pjesë e SPASH. Në shkollën “Androkli Kostallari” aktualisht jam mësuese e kimisë.

Cilat janë disa nga problemet që keni evidentuar në arsimin parauniversitar?
Një nga problemet që shqetëson mësuesit e Tiranës është mosrespektimi i normave të punës. Ndërkaq, ata që punojnë me klasë kujdestari prej tre vitesh nuk u paguhet si orë pune, në kundërshti me udhëzimin 44 i cili thekson se klasa kujdestari është 2 orë pune në javë. Një tjetër problematikë është edhe fakti që mësuesit nuk paguhen për orët shtesë që zhvillojnë në kuadër të nismës për shkollat si qendra komunitare.
Prej 5 vitesh, mësuesve të Tiranës, kryesisht ata të shkollave 9-vjeçare nuk po marrin lekët e korrigjimit të provimeve të lirimit. Janë orë të tëra pune ku mësuesit shkojnë korrigjojnë testet për nevojat e DAR-it e nuk shpërblehen.
Sa të kënaqur janë mësuesit e Tiranës me pagën?
Një tjetër shqetësim që ngrihet nga mësuesit është inflacioni në pagë dhe rritja e pagës. Kjo e fundit u bë vetëm 2 muaj para zgjedhjeve dhe la jashtë 8000 mësues në rang vendi, por dhe në Tiranë një numër i konsiderueshëm nuk kanë marrë shtesën mbi pagë. Madje këtyre mësuesve iu ul edhe niveli i pagës bazë.
Prej 7 muajsh mësuesit në mbarë vendin po punojnë pa kontratë kolektive. Pse është i nevojshëm nënshkrimi i saj?
Që prej 31 majit të 2017-ës, rreth 36 mijë mësues janë pa kontratë kolektive pune. Kjo e fundit është e domosdoshme për mësuesit pasi ka një numër nenesh, të cilat shprehin qartazi sesi procedohet për probleme të ndryshme punëdhënës-punëmarrës për të pasur një marrëdhënie të shëndetshme pune.
A keni bërë kërkesa drejt Ministrisë së Arsimit për rinovimin e kontratës?
Sigurisht që kemi nisur kërkesa zyrtare drejt Ministrisë së Arsimit. Por procedurat për nënshkrimin e kësaj kontrate nuk kanë filluar. Si rregull duhet të shpallej çelja e negociatave, por përgjigjet zyrtare të ministrisë lënë për të dëshiruar. Për këtë, në të gjitha shkollat e Tiranës, por dhe më gjerë, ne kemi nisur nënshkrimin e një letre nga të gjithë mësuesit, të cilët janë pro fillimit të lëvizjes sindikale.


Cili është synimi i lëvizjes sindikale?
Me nënshkrimin e kësaj letre nga mësuesit, ne dëshirojmë t’i tregojmë e të bindim parterin tonë social, MASR dhe DAR dhe ZAR se problemet dhe kërkesat që ne si kryetarë ngremë, nuk janë vetëm shqetësimet tona, por të të gjithë mësuesve. Këta të fundit, nëpërmjet nënshkrimit të kësaj letre shprehin hapur vullnetin e tyre për të hyrë në dialog me Ministrinë e Arsimit. Në këtë mënyrë mund të tregojmë hapur shqetësimet që kemi, por edhe kërkesat tona.
Sa mësues në Tiranë e kanë nënshkruar këtë letër pro lëvizjes sindikale?
Nënshkrimi i kësaj letre pro lëvizjes sindikale, ka marrë një reagim pozitiv nga mësuesit e Tiranës. Në vetëm 5 ditë, në 22 shkolla ata kanë firmosur në masën 100%. Disa prej shkollave që kemi marrë mbështetjen totale të mësuesve janë: “Androkli Kostallari”, “Isamil Qemali”, “Skënder Caçi”, “Sabaudin Gabrani II”, gjimnazi “Sinan Tafaj”, shkolla “Gjon Buzuku”, “Jeronim de Rada, “Asim Vokshi” etj. Vullneti i mësuesve është 100% pro sindikatës, pra janë vetë mësuesit që po e imponojnë këtë lëvizje për plotësimin e kërkesave të tyre. Por theksoj që synimi jonë është funksionimi i dialogut, pra të zgjidhen problemet aty ku çalojnë.
A prisni këtë vit që të merrni shpërblimet e fundvitit?
Ne presim nga momenti në moment që ministria të ulet e të diskutojë me ne, të dëgjojë shqetësimet e të respektojë kodin e punës. Sipas nenit 114 të Kodit të Punës, e drejta e shpërblimit është e fituar dhe nuk mund të mohohet. Kjo ministre po na i mohon këtë të drejtë prej 5 vitesh. Në bazë të këtij neni, kur punëdhënësi, në këtë rast MASR, paguan një shpërblim vjetor tre vjet rresht pa rezerva të shprehura, ai është i detyruar të vazhdojë pagimin edhe në të ardhmen. Nëse do bëjmë një përllogaritje, çdo mësuesi 500 mijë lekë, ia ka marrë nga xhepi ministria. Ajo kërkon solidarizim nga ne, dhe ne solidarizohemi, por edhe ministrja duhet të dëgjojë kërkesat tona, të cilat janë ekonomike, por mbi të gjitha dinjitoze.
A keni marrë një përgjigje nga MASR, se përse nuk është marrë shpërblimi për 5 vite me radhë?
Edhe vitin e kaluar, ne patëm një lëvizje sindikale, dhe u ulëm me MASR, e cila ra dakord që kërkesa jonë mbi shpërblimet e fundvitit ishte e ligjshme. Deri në datën 28 dhjetor, premtimi ishte që shpërblimi do të merrej, por në fund nuk morëm asgjë. Për t’u justifikuar, Ministria e Arsimit, organizoi një darkë të madhe për mësuesit e të gjitha shkollave të Tiranës. Ishte një show, ku dhe vetë ministrja ishte e pranishme, por shpërblimin si përfundim nuk e morëm.
Cilat janë disa nga problemet që hasin mësuesit gjatë procesit mësimor?
Shkollat tona janë kthyer në gjithëpërfshirëse, ku ne kemi në klasa edhe fëmijët me nevoja të veçanta. Ajo që na shqetëson është fakti që numri i nxënësve është rritur, ndërkohë që mungon mësuesi ndihmës i specializuar për këtë kategori. Ata kanë të drejtë të trajtohen në mënyrë të specializuar e me dinjitet, të zhvillohen. Me kushtet që kanë shkollat tona, një fëmijë me nevoja të veçanta nuk mund të qëndrojë, pasi ka nevojë për klasa speciale brenda shkollave normale. Këta fëmijë nuk po marrin trajtimin e duhur nga shkollat.
A paraqiten probleme në lidhje me kurrikulat në arsimin parauniversitar?
Kurrikula e re është një problem më vete në shkollat e Tiranës. Mësuesit janë të ngarkuar, të lodhur. Mësuesit shprehen se tekstet e klasës së 10 dhe 11 kanë nivel shumë të ulët të njohurive, ata pretendojnë se nxënësit kur të dalin nga gjimnazi nuk do të munden të ndjekin universitetet me lëndë shkencore. Për kurrikulën e re punohet me tre regjistra, ndërkohë që edhe nxënësit duhet të punojnë me dosje e me printime pafund.
Cilat janë hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrë sindikata për plotësimin e kërkesave?
Hapat tanë do të jenë seriozë, demokratikë e proligjorë. Por, ne e ftojmë ministrinë të ulet së bashku me ne e të dëgjojë kërkesat, jemi pro dialogut social. Nëse sërish kërkesat tona bien në vesh të shurdhët, protestat do të jenë të pashmangshme.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.