AKTUALITET

Kompensim i faturave të energjisë elektrike, si do të bëhet

13:00 - 25.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në datën 27 shtator do të mbahet mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku priten të miratohen një sërë vendimesh me karakter social në ndihmë të kategorive në nevojë. Respektivisht do të bëhet shqyrtimi për projektvendimin për dhënien e ndihmës ekonomike për 2599 familje në kryeqytet, si dhe për projektvendimin për miratimin e pagesës për personat me aftësi të kufizuara dhe invalidët e punës. Ndër-kohë, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës pritet miratimi i kompensimit të çmimit të energjisë elektrike për kategoritë përfituese për periudhën 1-31 gusht 2018.




Gazeta Shqiptare” zbardh sot përmbledhjen e borderosë së kompensimit të energjisë për ndihmën ekonomike për përfituesit gjatë periudhës së sipërpërmendur. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, individët përfitues të statusit të invalidit, paraplegjik dhe tetraplegjik si dhe të verbër që kanë nevojë për kujdestar do të marrin kompensimin prej 2 mijë lekësh në muaj.

Kompensimet
Ndërkohë, një kompensim prej 1400 lekësh në muaj do e përfitojnë të gjithë ata persona të verbër, si dhe përfituesit e statusit të invalidit që nuk kanë nevojë për kujdestar. Ndërkohë, theksohet se individët përfitues të statusit të invalidit dhe të verbrit, që kanë nevojë për kujdestar do të marrin një kompensim prej 1 mijë lekësh në muaj për faturën e telefonisë fikse. Kategoritë që përfitojnë kompensim për efekt të heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri në 300 kwh në muaj janë edhe: familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, kryefamiljarët që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat me anëtarë të papunësuar, kryefamiljarë që përfitojnë pension pleqërie shtetëror, pension pleqërie fshati ose pension social.

Gjithashtu, edhe familjet e punonjësve buxhetorë me pagë bruto nën 35 mijë lekë në muaj, që nuk kanë anëtarë të tjerë të punësuar apo vetëpunësuar përfitojnë nga ky kompensim i energjisë. Nga ky i fundit parashikohet të përfitojnë edhe të verbrit, personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë si dhe kryefamiljarët që përfitojnë pension të plotë pleqërie ose pension social me banim në fshat, kur familja është e përbërë vetëm nga pensionistë.

“Në rastet kur në të njëjtën familje ka dy pensionistë të vetëm dhe kontrata është në emër të pensionistit jokryefamiljar, kompensimin e përfiton pensionisti në emër të të cilit është kontrata e energjisë elektrike. Në rastet kur si e ardhur e vetme e familjes është pensioni familjar dhe kontrata është në emër të kryefamiljarit pasjetues, të fëmijëve ose në emër të kryefamiljarit të vdekur, kompensimi i akordohet personave përfitues të pensionit familjar”, – theksohet në projektvendimin e Këshillit Bashkiak. Në këtë të fundit bëhet me dije gjithashtu se pagesa që përfshihet në këtë vendim është kompensimi i energjisë elektrike për muajin gusht 2018 për kategoritë që rezultojnë përfituese, e kjo në të gjitha njësitë administrative të Bashkisë së Tiranës. Nëse vendimi do të miratohet, është detyra e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Sociale dhe Njësive Administrative të Bashkisë së Tiranës që të kujdesen për zbatimin e tij.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.